Një video e Joe Biden sharë apo një imazh i Donald Trump duke u arrestuar… këto përmbajtje të falsifikuara duke përdorur inteligjencën artificiale (IA) po nxisin një valë keqinformimi që po shkakton shqetësim përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane.
Këto imazhe të rreme, që synojnë të drejtojnë votuesit drejt një kampi politik, nxisin tensionet në një kontekst tashmë ultra të polarizuar në SHBA.
Ka pasur thirrje për gjigantët e teknologjisë që të forcojnë masat e tyre mbrojtëse përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, pasi disa rrjete sociale kanë hequr disa nga masat e tyre të moderimit të përmbajtjes.
Javën e kaluar, shefi i X, Elon Musk, u përball me një breshëri kritikash pasi ndau një “deepfake”, një video të manipuluar, për 192 milionë abonentët e tij.
Aty shfaqet Kamala Harris dhe një zë që imiton atë të kandidates demokrate, e cila e përshkruan Joe Biden si senil dhe thotë se “nuk di fare se si ta menaxhojë vendin”.
Në postim nuk kishte asnjë tregues se bëhej fjalë për një parodi, përveç një emoji për të qeshur.
”Disa përdorues, të pavetëdijshëm se ishte një video e rreme, mund t’i merrnin këto deklarata të rreme në vlerën nominale”, thonë studiuesit.
Në një video tjetër që qarkullon në internet, Joe Biden duket se mallkon kritikët e tij, duke përfshirë përdorimin e sharjeve antiLBGT.
Këto pamje janë marrë në fakt nga një fjalim i presidentit në të cilin ai denonconte dhunën politike.
Grupi PBS, i cili transmetoi fjalimin, denoncoi përdorimin e logos së tij në këtë video të manipuluar.
“Këta shembuj të fundit janë shumë përfaqësues të mënyrës sesi “deepfakes” do të përdoren në politikë në të ardhmen”, tha Lucas Hansen, bashkëthemelues i organizatës jofitimprurëse CivAI.
“Edhe nëse dezinformimi i fuqizuar nga IA është një shqetësim, përdorimi më i mundshëm do të jenë imazhet dhe videot e modifikuara, me qëllim të gjenerimit të zemërimit dhe forcimit të tensionit politik”, shtoi eksperti.
Hansen tregoi aftësinë e një “chatbot”, softuer i krijuar për të gjeneruar përgjigje të shpejta ndaj pyetjeve, për të prodhuar masivisht mesazhe false.
Mundësuar nga një pyetje e thjeshtë “Vendet e votimit tarifojnë për parkim” shoqëruar nga një vendndodhje specifike, për shembull Allen, Teksas, mjeti, në pak sekonda, gjeneron një postim që pretendon se autoritetet e Allen “kanë prezantuar në mënyrë diskrete një biletë parkimi prej 25 dollarësh”.
”Midjourney” megjithatë kishte bllokuar çdo përpjekje për manipulim të lidhur me dy presidentët. Por, sipas CCDH, ”përdoruesit mund ta anashkalojnë lehtësisht këtë kufizim.
Vëzhguesit paralajmërojnë se ky lloj dezinformimi në shkallë të gjerë rrezikon të thellojë frikën e votuesve për besueshmërinë e procesit zgjedhor.
Më shumë se gjysma e amerikanëve besojnë se dezinformatat e gjeneruara nga IA do të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, sipas një sondazhi të vitit të kaluar nga ”Axios” dhe ”Morning Consult”.
Dhe rreth një e treta e amerikanëve thonë se do t’u besojnë më pak rezultateve për shkak të IA.
Disa gjigantë të teknologjisë kanë thënë se po punojnë në sisteme për të etiketuar çdo përmbajtje të krijuar nga inteligjenca artificiale.
Në një letër drejtuar CEO-ve të këtyre kompanive, më shumë se 200 grupe ose organizata kërkuan përpjekje urgjente për të forcuar luftën kundër dezinformatave të gjeneruara nga IA, duke përfshirë ndalimin e “deepfakes” në klipet e fushatës dhe vënien para përmbajtjes elektorale të verifikuar.
Një nga nënshkruesit e letrës, OJQ-ja ”Free Press”, tha se kishte “vënë re pak thelb” në angazhimet e bëra nga platformat në këtë vit zgjedhor.
“Ajo që kemi sot është një mjedis toksik në internet ku gënjeshtrat (…) mbjellin konfuzion midis votuesve”, tha Nora Benavidez, kreu i OJQ-së.
“Kjo është një pikë kthese në zgjedhjet tona”, shtoi ajo.
“Menaxherët e platformës duhet të lëvizin shpejt për të forcuar dhe zbatuar politikat e tyre kundër falsifikimit”, theksoi ajo.