Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar strukturat udhëheqëse të Odës Ekonomike Amerikane. Promovimi i koordinuar i potencialeve ekonomike të Kosovës dhe fuqizimi i dialogut publiko-privat, ishin temë diskutimi e këtij takimi. Duke folur para anëtarëve të Bordit të Guvernatorëve dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e dialogut publiko-privat si proces në të mirë të Kosovës e në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në ndërlidhje me këtë, ajo inkurajoi përfshirjen aktive të sektorit privat përmes ofrimit të rekomandimeve konkrete. Ajo tha se dera e Zyrës së Presidentes do të jetë përherë e hapur për përfaqësuesit e sektorit privat, duke demonstruar vullnetin e saj për përkrahje dhe përpjekje të koordinuara. Presidentja tha se duke e fuqizuar sektorin privat në vend, e bëjmë atë edhe më atraktiv në aspektin e punësimit. Ndërsa, duke folur për popullsinë e Kosovës, e cila vijon të jetë popullsia më e re në moshë në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani tha se kapitali njerëzor është aseti më i rëndësishëm i Kosovës.