Gazeta amerikane “Wall Street Journal” (WSJ), operacionin e shkëmbimit të kryer në Ankara nën menaxhimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimit Sekret të Turqise (MIT) e komentoi si “një tjetër sukses diplomatik për presidentin Recep Tayyip Erdogan”.
Në mesin e të liruarve përmes operacionit të shkëmbimit nga MIT ishte edhe gazetari i WSJ, Evan Gershkovich thuhet në lajmin e gazetës, ku rikujtohet se Turqia ka organizuar shumë “shkëmbime të burgosurish” që nga dita kur shpërtheu lufta në Ukrainë.
WSJ theksoi se operacioni i shkëmbimit ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë është “një tjetër sukses diplomatik” për presidentin Erdogan dhe bëri vlerësimin se “i kujton edhe një herë Perëndimit vlerën e ndërmjetësimit të Turqise”.
Më tej duke rikujtuar se Turqia ishte një lojtar efektiv në marrëveshjen e “Iniciativës së Drithit në Detin e Zi”, gazeta theksoi se Turqia zhvilloi bisedime paqeje për luftën e Ukrainës, megjithëse nuk arriti në një përfundim.
Gjithashtu, WSJ shkruan se presidenti Erdogan ka ndjekur një kurs të pavarur nga Perëndimi lidhur me marrëdhëniet me Rusinë.
Dje, MIT realizoi operacionin më të gjerë të shkëmbimit të periudhës së fundit, i cili përfshin shkëmbimin e ndërsjellë të 26 personave në burgjet në SHBA, Gjermani, Poloni, Slloveni, Norvegji, Rusi dhe Bjellorusi.
Në mesin e atyre që u shkëmbyen në operacion kryesojnë gazetari i “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, ish-marinsi amerikan Paul Whelan, mercenari shtetasi gjerman, Rico Krieger, opozitari rus Ilya Yashin dhe oficeri i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse, Vadim Krasikov.