Ky projekt është pjesë e planit të përgjithshëm urbanistik të kryeqytetit. Projekti përfshin zgjatjen e dy bulevardeve kryesore, “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri”, të cilat do të shtrihen paralel me Lanën, dhe synon të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin rrugor dhe cilësinë e jetesës për qytetarët e Tiranës.

Segmenti i ri, i cili do të shtrihet përgjatë 1.8 kilometrave, do të përfshijë edhe ndërtimin e një shtrati të ri për lumin, me qëllim eliminimin e përmbytjeve të shpeshta dhe zhvillimin urban të zonës përreth.

Ndër elementët kryesorë të këtij projekti përfshihen ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Lana, të cilat do të shërbejnë për qarkullimin e automjeteve, biçikletave dhe këmbësorëve. Urat, me një gjatësi prej 24 metrash, do të lidhen me bulevardet e zgjeruara që do të përfshijnë gjithë infrastrukturën moderne, si sinjalistika, ndriçimi, peizazhi, dhe telekomunikacioni.

Projekti, gjithashtu parashikon ndërtimin e korsive të dedikuara për biçikleta, me një gjerësi prej 2.5 metrash, trotuare për këmbësorë me gjerësi 2 metra, si dhe një pistë vrapimi 2 metra të gjerë, duke siguruar kështu një lëvizje sa më të sigurt dhe komode për të gjithë përdoruesit e rrugëve. Një rëndësi e veçantë i është dhënë përqasjes së këmbësorëve dhe personave me aftësi të kufizuar, duke minimizuar barrierat arkitektonike dhe duke garantuar lëvizje të lirë në trotuare.

Projekti do të trajtojë edhe problemet e kanalizimeve të ujërave të ndotura dhe atyre të shiut, të cilat deri më tani kanë shkaktuar ndotje të konsiderueshme të lumit.

Ky projekt pritet të sjellë përmirësime të mëdha në infrastrukturën e qytetit, duke e bërë Tiranën një qytet më të gjelbër, më të sigurt dhe më të përshtatshëm për jetesë.