120 forca dhe 10 mjete zjarrfikëse, janë angazhuar gjatë ditës së sotme për të mbajtur nën kontroll përhapjen e zjarrit në zonën pyjore të Bodes në Korçë.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole bëri të ditur sot se “në një territor kufitar të bashkisë Maliq dhe Korçë, për rreth 14 orë gjatë ditës së sotme u angazhuan maksimalisht 120 forca dhe 10 mjete nga të gjitha strukturat e emergjencave civile në nivel qarku, në përpjekjen e vështirë për të mbajtur në kontroll përhapjen e zjarrit në masivin pyjor”.

“Bashkë me Kryetarin e Bashkisë Maliq kemi organizuar punën për vijimin e aksionit edhe ditën e nesërme që shumë herët në mëngjes, për të kontrolluar perimetrin e sipërfaqes së prekur dhe reduktuar riskun e përhapjes”, u shpreh ai.

Jole nënvizoi se mbrojtja e pyjeve është detyrë e të gjithëve, ndaj duhet të tregojmë shumë kujdes e vigjilencë për të shmangur pasoja të rënda dhe kosto të larta të kapaciteteve të mobilizuara.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu u shpreh se situata vazhdon të jetë ende problematike edhe pse ka një rënie të intesitetit të zjarrit.

“Në majën e Bodes -Lozhan , në kufirin mes Maliqit dhe Korçës forca zjarrfikëse të bashkive Maliq, Korçë, Pogradec, Devoll dhe Pustec janë bërë bashkë me forcat e ushtrisë, policisë së shtetit, shërbimit pyjor e njësive administrative Gorë e Moglicë në përballje me një zjarr të përmasave të mëdha”, theksoi ai.