Një ilaç antiviral kundër HIV-it mund të bëhet i aksesueshëm për të gjithë, në vendet me përhapjen më të madhe të virusit të AIDS-it, vetëm nëse kompania farmaceutike që e prodhon do të pranonte të bënte një version universal, shkruan focus.it.

Fjala është për Lenacapavirin, një ilaç që injektohet dy herë në vit dhe që parandalon infektimin tek ata që nuk e kanë marrë, ndërsa shtyp virusin tek ata që janë HIV pozitiv.

Sipas UNAIDS, Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS-in, ilaçi mund të përfaqësojë një përparim për parandalimin e HIV-it nëse bëhet i disponueshëm shpejt dhe me çmim të përballueshëm.

Ai prodhohet dhe tregtohet me emrin Sunlenca nga gjiganti farmaceutik amerikan ”Gilead”, i cili e shet atë për 42 250 dollarë për pacient për vitin e parë.

Një shifër praktikisht e papërballuar në të gjitha vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, për të mos përmendur që për momentin ilaçi është miratuar dhe indikuar vetëm për trajtimin e personave tashmë të infektuar me virusin, ku ilaçet e tjera për HIV nuk janë gjetur të jenë efektive.

Në studimin e paraqitur nga Andrew Hill, një farmakolog në Universitetin e Liverpulit, llogariti se do të ishte e mundur që ”Gilead” të ulte në mënyrë drastike kostot e prodhimit dhe shitjes së antiviralit, duke vazhduar të kanë një marzh të mirë fitimi, dhe në të njëjtën kohë duke e detyruar virusin HIV në një tërheqje të papritur.

Hill llogariti çmimin minimal për prodhimin në masë të një versioni gjenerik të Lenacapavir me 40 dollarë në vit, bazuar në kostot e përbërësve të tij dhe zinxhirin e furnizimit.

Kjo shifër do të lejonte 10 milionë njerëz të merrnin ilaçin çdo vit, ndërkohë që i garantonte kompanisë farmaceutike një marzh fitimi prej 30%.

Në terma afatgjatë, për të ulur ndjeshëm nivelet e HIV-it në qarkullim, 60 milionë njerëz në mbarë botën do të duhet të marrin ilaçin, i konsideruar nga shumë njerëz dhe nga vetë Hill si gjëja më e afërt me një vaksinë HIV që kemi në dispozicion edhe pse Lenacapavir nuk është një vaksinë, por një ilaç antiviral