Gjon Françesk Albani apo Papa Klementi XI, i mbiquajtur Albani për shkak të origjinës së tij shqiptare. Papa Albani ishte papa i 243-të i Kishës Katolike. Shërbeu si papë nga 23 nëntori 1700 deri më 19 mars 1721, duke e drejtuar Kishën Katolike për 21 vjet duke u renditur i katërti për nga vitet, pas Shën Pjetrit (35 vjet), Papa Piut (31 vjet) dhe Papa Gjon Palit (26 vjet). Si kreu shkollimin e plotë në Romë, falë aftësive të tij, ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare. Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve të Utrehtit, të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk. Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, u interesua nga afër për fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në historinë e Shqipërisë si për organizimin e Kuvendit të Arbërit (1703) e për botimin e Akteve të tij në shqip e latinisht, vepër me rëndësi të dorës së parë për traditën tonë letrare, ashtu edhe për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare. I dha kështu dheut të të parëve të tij, ndihmesën e çmuar për të hedhur hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të popullit. Papa Klementi XI vdiq më 19 mars 1721 në Romë.