Meteorologu Hakil Osmani në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “7pa5” në Vizion Plus ka bërë parashikimin e motit për fundjavën si dhe dy ditët e para të javës së ardhshme.

Sipas meteorologut fundjava do të mbizotërohet nga temepratura të larta të cilat në rang territori arrijnë në 40 gradë celcius. Gjithashtu do të kemi kalim vranësirash dhe reshje të pakta, të cilat do të prekin dhe Tiranën pjesërisht.

Hakil Osmani: Dita e sotme mbetet me temperatura të larta. Ditën e sotme kemi një rritje të lehtë të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet në rang territori të jenë 42 gradë celcius. Temperaturat më të larta do të regjistrohen në Elbasan, Berat dhe Gjirokastër. Tirana do të jetë në vlerat 40-41 gradë, gjithashtu edhe qyteti i Shkodrës. Për sa i përket vijës bregdetare temperaturat mbeten në vlerën 39 gradë. Juglindja do të jetë më e freskët me maksimume që vërtiten rreth 35-37 gradë celcius.

Në fundjavë do të kemi sërish temperatura të larta. Maksimumet do të jenë 39-40 gradë celcius në rang territori. Zona më e freskët mbetet sërish juglindja, qarku i Korçës. Sa i përket kushteve atmosferike, që në orët e mesditës së sotme vranësirat do të pësojnë zhvillime të përkohshme, duke bërë që në zonat lindore, përfshirë pjesërisht edhe qytetin e Tiranës të kemi reshje shiu. Edhe dita e shtunë pritet të ketë këto rebeshe afatshkurtra shiu. Ata që kanë vedosur të shkojnë drejt bregdetit të mos shqetësohen sepse do të kemi kalime të lehta vranësirash pasditeve, por jo reshje.

E hëna dhe e marta do të jenë nën mbizotërimin e intervaleve të orëve të gjata me diell.  Sa i përket temperaturave ditën e hënë maksimumet luhaten rreth vlerës 39 gradë, ndërsa në zonat malore do të kemi jo më shumë se 38 gradë. Juglindja do të ketë maksimume rreth vlerave  34-35 gradë celcius. Dita e martë sjell një rritje temperaturash me 1 gradë./vizionplus.tv