Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETARE10 vjet pas rrëzimit të ”MH17” në Ukrainë, kërkesa për drejtësi vazhdon

10 vjet pas rrëzimit të ”MH17” në Ukrainë, kërkesa për drejtësi vazhdon

Drejtësia holandeze dënoi tre burra në mungesë me burgim të përjetshëm në vitin 2022 për rolin e tyre në aksident, dy rusë dhe një ukrainas. Por, Moska ka refuzuar të ekstradojë të dyshuarit dhe gjithmonë ka mohuar çdo përfshirje.

Dhe vitin e kaluar, hetuesit ndërkombëtarë pezulluan hetimet e tyre, duke thënë se nuk kishte prova të mjaftueshme për të ndjekur më shumë të dyshuar.

“Ne mbetemi të bashkuar në luftën tonë për drejtësi, kjo është ajo që na shtyn”, deklaroi megjithatë Dick Schoof para qindra të afërmve dhe personaliteteve.

Familjet e 298 personave të vrarë u mblodhën në një vend përkujtimor pranë aeroportit ”Schiphol” të Amsterdamit, i mbushur me luledielli, ashtu si fusha ukrainase e mbushur me trupa dhe mbeturina pas rrëzimit.

Avioni u ngrit nga Holanda, në një ditë të bukur vere, më 17 korrik 2014, për në Kuala Lumpur.

Disa orë më vonë, avioni ”Boeing 777” i ”Malaysia Airlines” u rrëzua nga një raketë e prodhuar nga Rusia mbi territorin e mbajtur nga separatistët pro rusë.

Të gjithë në bord u vranë.

“Ne të gjithë e dimë se një dënim nuk është njësoj si të jesh dikush pas hekurave”, tha  Schoof, duke shtuar se “drejtësia kërkon që ne të jemi të përgatitur për të luftuar në afat të gjatë”.

”Dhe ne kemi kohë, durim dhe këmbëngulje. Ky është mesazhi im për fajtorët dhe premtimi im për të dashurit”, theksoi ai.

Shumë prej këtyre të afërmve u përlotën kur emrat e viktimave, përfshirë 196 holandezë, 43 malajzianë dhe 38 australianë, u lexuan një nga një.

Familjet e viktimave kanë pak shpresë për të parë ndonjëherë fajtorët pas hekurave.

“Unë nuk mendoj se përgjegjësit do të vuajnë dënimin e tyre”, tha Evert van Zijtveld.

Ky burrë që humbi vajzën e tij Frédérique, 19 vjeçe, djalin e tij Robert-Jan, 18 vjeç dhe vjehrrit e tij në aksident, tha se po kalonte sot “një ditë të vështirë”.

Hetuesit ndërkombëtarë arritën në përfundimin se kishte “indikacione të forta” se presidenti rus Vladimir Putin miratoi lëshimin e raketës që rrëzoi aeroplanin.

Moska e hodhi poshtë me forcë vendimin e gjykatës të vitit 2022, duke e quajtur atë “politik” dhe “skandaloz”.

“Ne nuk ishim të përfshirë në hetim dhe prandaj qëndrimi ynë ndaj këtyre përfundimeve është i mirënjohur”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Bashkimi Evropian, nga ana e tij, i bëri thirrje edhe një herë Moskës të “pranojë përgjegjësinë e saj në këtë tragjedi”.

“Përgjegjësia e Rusisë për këtë mizori është e pashmangshme”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në X.

“Të gjithë ata që janë fajtorë për këtë dhe krime të tjera të luftës ruse, padyshim që do të dëgjojnë vendimet që meritojnë,” shtoi ai.

Por, tre burrat e dënuar në Holandë refuzuan të merrnin pjesë në procedurat ligjore dhe mohuan çdo rol në tragjedi.

Dhe meqë Moska refuzon të ekstradojë ndonjë të dyshuar, duke cituar ligjin rus, nuk ka gjasa që të dënuarit të vuajnë ndonjëherë dënimin e tyre.

“Pushtimi i Ukrainës dhe përshkallëzimi i luftës e bëjnë vërtet të vështirë të besohet se ndonjë prej tyre do të arrestohet së shpejti”, tha Evert van Zijtveld.

Driekske Bakker, 71 vjeçe, e cila humbi vëllanë dhe kunatën e saj në tragjedi, tha se ishte “e kënaqur që të paktën kishte një gjyq dhe se ata (të dënuarit) nuk mund të largoheshin nga Rusia”.

”Ata janë jo plotësisht të lirë”, tha ajo.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments