Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot, ndarjen nga jeta të Bule Naipit dhe Persefoni Kokëdhimës, heroina të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Jeta, veprimtaria atdhetare dhe qëndresa e dy vajzave të reja heroina ka shërbyer si subjekt për filmin artistik “Ngadhënjim mbi vdekjen”.
Bule Naipi (1924-1944) lindi në Gjirokastër. Ishte anëtare e PKSh menjëherë pas themelimit të saj. Mori pjesë në demonstratat antifashiste dhe punoi për përhapjen e ideve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në popull e veçanërisht në radhët e të rejave dhe grave në Gjirokastër, Libohovë dhe Konispol. Për një kohë punoi edhe në zonën e çliruar të Kurveleshit. Ishte një ndër organizatoret e grevës së bukës në Gjirokastër në vitin 1943.
U kap në befasi nga forcat naziste dhe bashkëpunëtorët e tyre. E torturuan në burgun e kalasë së Gjirokastrës dhe e varën në sheshin e qytetit më 17 korrik 1944.
Persefoni Kokëdhima (1924-1944) lindi në Qeparo të Himarës. U aktivizua në grupet e Rinisë Komuniste dhe në fillim të vitit 1944 u hodh në radhët e Brigadës VI S. Mori pjesë në luftimet gjatë mësymjes së përgjithshme armike të qershorit 1944. Në Operacionin e Qershorit 1944, brigada në fjalë mori pjesë në kundërmësymjen e përgjithshme të UNÇ. Kompania e Persefonit, në Qafën e Gjashtës, në Sarandë, i zuri pritë një autokolone gjermane. Aty Persefoni u plagos në shpatullën e djathtë. Përveç kësaj, kishte marrë dhe një ftohje të rëndë, kështu që shokët partizanë e lanë te stani i të atit në Qeparo. Ndërkaq e spiunuan, e arrestuan, e lidhën me litar dhe e çuan në burg. Gjermanët e varën ditë përpara Bule Naipit, me qëllim që ta frikësonin e të tregonte për organizatorët e lëvizjes antifashiste.