Manastiri i Shën Marenës në Llëngë është në pronësi të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Tashmë është objekt kulti me destinacion kulturor. Shpallja e tij si Monument Kulture, Kategoria I, është bërë që më 24 maj të 1948-ës.
Pamja përreth manastirit është shumë e bukur, me male, pyje e livadhe. Në këmbë të këtij vendi rrjedh si një përrua i madh e ujëplotë, lumi i Shkumbinit, që e merr fillimin e tij prej këtyre anëve.
E gjithë kisha është e mbuluar në pjesën e brendshme me afreske bërë nga dora e mjeshtrit të talentuar Kostandin Shpataraku. Realizimi i tyre është bërë 10 vjet më vonë se ikonat e kishës së Ardenicës në Lushnjë. Kjo flet për pjekurinë artistike të piktorit.
Kostandin Shpatarakut i përkasin një pjesë e ikonave të ikonostasit, duke përfshirë kryqin mbi ikonostas, dyert e bukura, një balldakin me 15 figura dhe 17 ikona të vogla me skena nga jeta e Krishtit dhe Shën Marisë. Pikturat murore të kësaj kishe janë punuar prej tij më 1754 me porosi të qytetarëve, klerikëve dhe esnafëve të qytetit të Llëngës.
Dita e Shën Marenës, ndonëse bie më 17 korrik (sipas kalendarit të ri), festohet edhe më 30 korrik (sipas kalendarit të vjetër). Në këtë festë marrin pjesë e vijnë jo vetëm besimtarët e fesë së krishtere, jo vetëm nga Mokra e rrethi i Pogradecit, por edhe nga krahina të tjera si Korça e, sidomos, nga fshatrat e Librazhdit e madje edhe të Elbasanit. Kishës së Shën Marenës i atribuojnë veti çudibërëse. Besimtarët besojnë në vetitë çudibërëse të Shën Marenës, i luten asaj dhe hedhin ndonjë monedhë e ndezin qirinj në kishë, në mënyrë që shenjti t’i ndihmojë në zgjidhjen e ndonjë halli apo në shërimin e ndonjë sëmundjeje.