Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri me dije se kanë nisur regjistrimet në arsimin profesional. Me moton “Ngado ta kthesh, arsim profesional”, ministri shkroi në një postim në rrjetet sociale se, arsimi profesional ka një zgjidhje për çdo nxënës në prag të aplikimit për klasën e 10-të. Nxënësit mund të zgjedhin një nga 22 drejtimet për një arsim dinamik, përfshirës dhe plot mundësi. Regjistrimet mund të kryhen përmes e-Albania, në shërbimin “Regjistrim në klasë të dhjetë”. Sistemi i arsimit dhe formimit profesional publik përbëhet nga 41 institucione, nga të cilat 31 shkolla profesionale dhe 10 qendra formimi të cilat ofrojnë kualifikime profesionale të mesme, pas të mesme dhe afatshkurtra, për të gjitha moshat. Sipas Portalit Kombëtar të Punësimit dhe Aftësive, një në dy studentë të arsimit profesional, punësohen menjëherë me mbarimin e studimeve dhe se në institucionet e aftësimit profesional, mundësitë për të zhvilluar lidhje me bizneset bëhen edhe më të mëdha.