Duke parë në mënyrë analitike të gjithë peizazhin demografik të Evropës Lindore, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) ka theksuar nevojën e përballimit nga autoritetet qeverisëse dhe të institucioneve ndërkombëtare ndryshimet e popullsisë që kanë pësuar vendet në Evropë, por edhe më gjerë.
Analiza për popullsinë tregon se, Evropa Lindore po përjeton tendenca të dukshme demografike të rënies së numrit të lindjeve, plakjen e popullsisë dhe rritjen e flukseve të migracionit.
Të gjitha këto ndryshime janë në vetvete sfida thelbësore për qeveritë, komunitetet dhe politikë bërësit pasi situata reflekton plakje të popullsisë dhe rënie të fuqisë punëtore. Kjo do të thotë që popullsia në plakje rrit kërkesën për kujdes të shtuar shëndetësor dhe zgjerimin e shërbimeve sociale për moshën e tretë.
Në anën tjetër, emigracioni nxit nevojën për shtimin e kapaciteteve pritëse, aksesimin e shërbimeve dhe në anën tjetër integrimin e tyre në komunitet.
Gjatë një tryeze diskutimi të mbajtur në Stamboll, Turqi Florence Bauer, drejtoreshë rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, u shpreh se, “ndryshimet e popullsisë që po përjeton rajoni janë reale dhe efektet e tyre kërkojnë përgjigje urgjente, por nuk ka asnjë arsye për panik. Qeveritë mund të bëjnë diçka për të zbutur efektet negative dhe për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë që vijnë edhe me ndryshimet demografike”.
Në të gjithë Evropën Lindore dhe Juglindore, normat e lindshmërisë janë të ulëta, përgjithësisht midis 1.3 dhe 1.8 fëmijë për grua. Gjithashtu, Shqipëria nuk i ka shpëtuar tkurrjes së popullsisë, që mesa duke është një fenomen i pashmangshëm i ndryshimeve demografike në mbarë botën.
Sipas rezultateve të Censit të Popullsisë të prezantuara nga INSTAT(Qershor 2024), Shqipëria rezultoi me 2,412,113 banorë, me rënie 13.8% krahasuar me Censin e vitit 2011.
Po referuar Censit të Popullsisë, lindshmëria ka pësuar rënie dhe tashmë madhësia e familjeve shqiptare mesatarisht është 3.2 anëtarë për familje.