Rreth 500 të rinj, gra dhe pjesëtarë të pakicave u bënë pjesë e fushatës së KQZ-së për edukimin dhe informimin e zgjedhësve, përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Fushata, e zhvilluar nga 9 maji deri më 10 korrik, u mbështet nga Prezenca e OSBE, si pjesë e projektit të saj “Mbështetje për reformën dhe procesin zgjedhor në Shqipëri”, financuar nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia.

Faza e parë e takimeve u zhvillua me studentët e universiteteve të Korçës, Shkodrës, Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës. Ata mësuan për organizimin dhe funksionimin e administratës zgjedhore dhe eksploruan mundësitë për përfshirjen e tyre në kapacitete të ndryshme në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025. Gjatë një simulimi të procesit të votimit, studentët luajtën rolet e subjekteve zgjedhore, komisionerëve e zgjedhësve dhe, më pas, diskutuan për hapat e procesit të votimit, plotësimin e fletëve të votimit dhe administrimin e materialit zgjedhor.

Faza e dytë, e realizuar në bashkëpunim me Rrjetin e Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, u zhvillua me gratë dhe pakicat në Laç, Gjirokastër, Berat, Pustec dhe Finiq. Diskutimet u fokusuan në mënyrat për të fuqizuar përfaqësimin e grave në vendimmarrje dhe për të rritur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Ekspertë nga KQZ-ja, Rrjeti dhe Prezenca e OSBE-së kontribuan në diskutime.

Rreth 500 persona morën pjesë në këto veprimtari, të cilat ishin pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe procesin zgjedhor në Shqipëri”, financuar nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia.