Qeveria Shqiptare ka ngritur një strukturë të qëndrueshme për të luftuar diskriminimin e bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, por duhet të bëjë më shumë për të siguruar zbatimin dhe përputhshmërinë e ligjeve dhe politikave me realitetet e jetuara të personave lesbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT), deklaroi sot Ekspertit i Pavarur i OKB-së, Graeme Reid,
“Ndërkohë që jetojmë në një kohë me rritje të konsiderueshme ekonomike dhe ndryshim social në Shqipëri, u lumturova teksa pashë prova të qarta të angazhimit të qeverisë për të siguruar që personat LGBT në vend të mos mbeten pas dhe të kenë mundësi të barabarta për të realizuar plotësisht potencialin e tyre në shoqërinë shqiptare”, u shpreh Graeme Reid, Eksperti i Pavarur për mbrojtjen ndaj dhunës dhe diskriminimit të bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.
“Megjithatë, personat LGBT vazhdojnë të përballen me diskriminim në lidhje me aksesin në arsim, kujdes shëndetësor, punësim dhe aspekte të tjera të jetës së tyre të përditshme”, deklaroi Reid.
“Ata përballen edhe me pengesa për të raportuar krime të dhunshme me motive paragjykimi dhe për të pasur akses në zgjidhje për shkelje të pretenduara të të drejtave të tyre, shpesh si pasojë e stigmës dhe qëndrimeve sociale diskriminuese mbizotëruese ndaj personave LGBT”, shtoi ai.
Reid vizitoi Shqipërinë nga data 1 deri në 12 korrik 2024.
Në një deklaratë në përmbyllje të vizitës së tij 10-ditore, Reid përgëzoi arritjet e Shqipërisë në lidhje me harmonizimin e ligjeve dhe politikave vendase me standardet ndërkombëtare, dhe rolin pozitiv të qeverisë në forumet ndërkombëtare në mbështetje të të drejtave të njeriut për personat LGBT.
Ai udhëtoi në Tiranë, Shkodër, Kukës, Vlorë, Sarandë dhe Korçë për takime me zyrtarë të qeverisë, përfaqësues të shoqërisë civile, organe të barazisë dhe individë, në të cilat ndau përvojat mbi dhunën dhe diskriminimin e pretenduar të bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.
“Ajo që u dallua në vizitën time në Shqipëri ishte gatishmëria e autoriteteve të të gjitha niveleve për të mbrojtur të drejtat e njeriut për personat LGBT, në përputhje me kërkesat e
Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBT”, u shpreh Reid.
“Në disa raste, autoritetet më kërkuan rekomandime se çfarë veprimesh duhet të ndërmarrin për të bërë më mirë. Megjithatë, shumë bashki shprehën nevojën për përmirësim të mbledhjes së të dhënave, trajnime teknike dhe financim të burimeve njerëzore për të krijuar fushata ndërgjegjësimi, kurrikula shkollore dhe mekanizma mbrojtjeje”, theksoi ai.
Reid vuri re një pabarazi të dukshme ndërmjet statistikave zyrtare dhe perceptimeve të publikut lidhur me natyrën dhe përhapjen e diskriminimit të bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, përfshirë edhe në studimet e ndërmarra nga grupet e shoqërisë civile.
Sidoqoftë, shumë nga zyrtarët dhe aktivistët që ai takoi binin dakord mbi nevojën për zbatimin e ligjeve dhe politikave për luftën kundër diskriminimit dhe dhunës në jetën e përditshme të personave LGBT, nëpërmjet alokimit të duhur të burimeve dhe rritjes së ndërgjegjësimit në të gjitha nivelet e shoqërisë se si margjinalizohen dhe dëmtohen njerëzit nga diskriminimi i bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor në sferën publike.
Eksperti do të paraqesë një raport të plotë në vizitën e tij në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në qershor 2025, në të cilin do të përfshihen rekomandime për Qeverinë Shqiptare se si t’i trajtojë mangësitë në përputhje me standardet dhe të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.