Policia e Shtetit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar po koordinojnë të gjitha masat në zbatimin e legjislacionit rrugor në hyrje dhe dalje të tunelit të Llogorasë. Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Gentian Gjyli, inspektuan në tunelin e Llogorasë, për masat e marra me qëllim parandalimin e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. “Tuneli monitorohet 24 orë me kamera dhe matës të shpejtësisë, si dhe nëpërmjet grupit TNT, me qëllim parandalimin e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe menaxhimin e trafikut”, tha Qato. Drejtori i Policisë Rrugore i bëri apel qytetarëve që të respektojnë sinjalistikën rrugore të vendosur në tunel, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Kreu i ARRSH-së, Gjyli tha se “kemi marrë angazhim të plotë dhe jemi në koordinim të vazhdueshëm me Policinë Rrugore, për të ndërhyrë në raste nevoje që mund të shfaqen gjatë operimit”. Tuneli i Llogorasë në Vlorë, me gjatësi 5.9 km, është vepra më e rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit, që shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut.