Policia e Shtetit, njofton se në zbatim të akteve ligjore që mbrojnë mjedisin e shëndetin e personit nga ndotjet akustike dhe zhurmat e shkaktuara mbi nivelet kufi të lejuara, ka marrë detyrimet përkatëse dhe po ndjek me plane konkrete ruajtjen e qetësisë publike, veçanërisht në zonat bregdetare.
Policia e Shtetit njofton se kontrollet po realizon përmes pajisjeve të certifikuara për matjen e niveleve të zhurmës të personave fizikë e juridikë, të cilët ushtrojnë veprimtari që lëshojnë zhurmë nga muzika. Dhe pas kontrollit dhe matjes merr vendim për masën administrative, pezullimin apo mbylljen e veprimtarive, që nuk respektojnë ligjin.
Policia e Shtetit njofton se, për mjediset e hapura në zona apo qendra të banuara dhe në zona turistike, muzika lejohet nga ora 11:00 deri në orën 24:00, ndërsa në zbatim të ligjit, personat fizikë dhe juridikë, që zotërojnë e përdorin burimet e zhurmës, duhet të plotësojnë kushtet teknike, që garantojnë respektimin e niveleve të zhurmës. Vetëmonitorimi i zhurmës në mjedis kryhet nga personat fizikë e juridikë, të pajisur me leje mjedisi, të cilëve u përkasin veprimtaritë, instalimet dhe burimet e zhurmës që monitorohen.
Në procedurën standarde janë parashikuar përgjegjësitë e Policisë së Shtetit për ruajtjen e qetësisë publike nga zhurmat që shkaktohen në mjedis (qendra të banuara si ato urbane dhe rurale) nga veprimtaritë e ndryshme dhe në veçanti ato që shkaktohen nga prodhimi i muzikës në lokale, bare, diskoteka, klube nate, restorante, mjete transporti, mbi nivelet kufi të lejuara dhe të përcaktuara në Udhëzimin e Përbashkët, datë 15.11.2023, të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Brendshme.
Strukturat e rendit publik dhe ato të policimit në komunitet do të mbajnë e përdorin pajisjen për matjen e nivelit të zhurmës/muzikës. Në rast se punonjësi i strukturës përgjegjëse të Policisë së Shtetit nuk ushtron kontroll për ruajtjen e qetësisë publike apo nuk merr masë administrative sipas parashikimeve të ligjit, ndaj tij merret masë sipas legjislacionit në fuqi për Policinë e Shtetit.
Në zbatim të ligjit “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis” është përcaktuar masa e dënimit/gjobës nga 200 mijë – 400 mijë lekë. Ligji parashikon aplikimin e masave plotësuese në varësi të dëmit të shkaktuar nga gjenerimi i zhurmës/muzikës, si mbyllje e përkohshme e subjektit, derisa të merren masa për eliminimin e zhurmës të shkaktuar nga muzika dhe mbyllja e përhershme e burimit të zhurmës.
Policia e Shtetit u bën thirrje personave fizikë dhe juridikë, që zotërojnë e përdorin burimet e zhurmës, të plotësojnë kushtet teknike, që garantojnë respektimin e niveleve të zhurmës dhe të monitorojnë zhurmën për të evituar shkeljen e ligjit dhe shqetësimin e qytetarëve.