Banka e Shqipërisë mbetet thellësisht e angazhuar për të mbështetur me të gjithë mundësitë dhe kapacitetet Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në përballimin e përbashkët të të gjitha sfidave në kuadër të proceseve integruese evropiane dhe të ofrojë ndihmesën e saj në çdo fushë që do të jetë e nevojshme.
Përfaqësues nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës të kryesuar nga Kryetarja e Komitetit të Auditimit Nora Latifi Jashari dhe anëtarë të tjerë të lartë auditimit të brendshëm, zhvilluan një vizitë pune pranë Bankës së Shqipërisë.
Delegacioni zhvilloi takime të veçanta pune dhe diskutime me Inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë Merita Bejtja, anëtaren e Këshillit Mbikëqyrës dhe njëkohësisht Kryetare e Komitetit të Auditimit të Bankës së Shqipërisë Suela Popa si dhe përfaqësues të tjerë nga Banka e Shqipërisë.
Ky takim i organizuar me kërkesë të përfaqësuesve të BQK-së, u realizua me qëllim shkëmbimin e eksperiencave midis dy institucioneve si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e auditimit të brendshëm.
Disa nga temat kryesore të diskutuara gjatë takimit ishin roli i Komitetit të Auditimit në institucionin e Bankës Qëndrore dhe rëndësia e tij në sigurimin e pavarësisë së Auditimit të Brendshëm; Auditimi i Brendshëm si hallkë e rëndësishme në vlerësimin e sistemit të kontrollit të institucionit, politika e auditimit të brendshëm dhe standardet ndërkombëtare të zbatuara në realizimin e objektivave; njësia e Administrimit të Rrezikut Operacional në menaxhimin e rreziqeve si dhe bashkëpunimi i tij me Auditimin e Brendshëm.