Në Shirgjan dhe Gjergjan, të Elbasanit vijon puna për rehabilitimin e sistemit kullues. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjetet sociale pamje nga puna që po kryhet për rehabilitimin e këtyre kanaleve. “Vijon puna për rehabilitimin e sistemit kullues në njësinë administrative Shirgjan dhe Gjergjan, për të siguruar kullimin e 1520 ha tokë dhe ujitjen e tokave përreth tyre me të mbjellat e fermerëve të zonës” u shpreh Denaj. Ndërkohë që investimet në veprat e infrastrukturës kulluese e vaditëse si dhe te kolektorët kryesorë vijon në gjithë vendin, veçanërisht në zonat me potencial të lartë bujqësor, siç janë Lushnja, Fieri, Elbasani etj. Fokus i projekteve në këtë sektor është të sigurojnë fermerët të kenë ujitjen e nevojshme për prodhimet e tyre gjatë sezonit veror, si dhe të mos kenë probleme me përmbytjen e tokave bujqësore nga reshjet gjatë stinës së dimrit.