Kisha abaciale e Shën Mërisë në Mamurras, dëshmi e Arbërisë mesjetare

0
3

 Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore përcolli imazhe nga kisha e Shën Mërisë në Mamurras, monument kulture i kategorisë së parë dhe një destinacion për vizitorët në zonë.

Kisha mban statusin monument kulture prej 15 janarit të vitit 1963. Objekti fetar gjendet në fshatin Shënmëri, Mamurras dhe paraqet interes të veçantë si një dëshmi arkitekturore që mbart gjurmë të disa fazave ndërtimore e disa duar pikturimi që përfshijnë periudhën rreth shek. XI-XIV.

Rrënojat e kishës i janë nënshtruar restaurimi gjatë të cilit u pastruan hapësirat përreth objektit nga vegjetacioni.

Po ashtu, u hoqën elementët joautentikë brenda kishës. U krye restaurimi i murit të gurit antik me teknikën shqep-qep, restaurimi i çarjeve në mur guri me teknikën e injektimit.

Specialistët kryen edhe ndërhyrje në konsolidimin dhe konservimin e pikturës murale si dhe vendosën strukturë të re metalike, me funksion estetik dhe mbrojtës për faltoren e kishës dhe pikturat murale të restauruara.

Nisur nga vlerat e rralla historike dhe arkitekturore, pas tërmetit të vitit 2019, ky monument i kategorisë I, i shquar për pikturat murale të ruajtura në rrënoja, u përfshi në listën e ndërhyrjeve restauruese.

Kisha e Shën Mërisë ndodhet në Kurbin, në fshatin Shëmri dhe është një kishë abaciale me rëndësi, e Arbërisë mesjetare. Sipas të dhënave gojore, aty kryenin shërbesat fetare Gjergj Kastrioti së bashku me bashkëshorten e tij Donikën.