Kryeministri hungarez, Viktor Orban, vendi i të cilit sapo ka marrë presidencën e BE-së dhe është i afërt me Rusinë, i bëri thirrje sot Ukrainës për një armëpushim, duke shkuar kështu kundër qëndrimeve të ukrainasve dhe aleatëve të tyre evropianë.
“I kërkova presidentit të shqyrtonte shpejt mundësinë e një armëpushimi, i cili do të ishte i kufizuar në kohë dhe do të bënte të mundur përshpejtimin e negociatave të paqes”, deklaroi Orban, i vetmi në BE që ka qëndruar pranë Kremlinit që nga fillimi i luftës me Kievin, në shkurt 2022.
“Iniciativat e presidentit ukrainas kërkojnë shumë kohë, janë të ngadalta dhe të ndërlikuara për shkak të rregullave të diplomacisë ndërkombëtare”, argumentoi Orban.
Ai e falënderoi Zelenskyn për “sinqeritetin” e bisedës dhe premtoi se do t’i “raportojë” përmbajtjen e këtyre diskutimeve Këshillit të Bashkimit Evropian “në mënyrë që të merren vendimet e nevojshme evropiane”.
Presidenti Zelensky nuk ka reaguar ndaj propozimit të Orbanit.
Në të kaluarën, ai ka hedhur poshtë me vendosmëri idenë e një armëpushimi me Rusinë duke besuar se Moska do ta përdorte atë vetëm për të forcuar ushtrinë e saj.
Ukraina e sheh tërheqjen e forcave ruse nga territori i saj si një parakusht për paqen, ndërsa Moska kërkon që ajo të braktisë pesë rajone dhe të heqë dorë nga ambiciet e saj për t’u anëtarësuar në NATO.