Në fjalën e tij Wisner tha se “kemi shumë të përbashkëta, që nga shqiponjat që fluturojnë mbi vendet tona, tek dashuria jonë për lirinë, tek pasioni për futbollin (sado të ndryshme që janë!), tek amerikanët që vizitojnë dhe jetojnë në Shqipëri dhe komunitetet e mëdha e të talentuara të diasporës shqiptare në SHBA”.
“Ndonjëherë dëgjoj se shqiptarët kanë rezerva ndaj shërbimit publik, duke kujtuar ngjyrimet që ky koncept kishte gjatë periudhës së errët në historinë e Shqipërisë. Gjatë vitit tim këtu, kam parë se realiteti është pak më i ndryshëm dhe në fakt më bën të kem më shumë optimizëm”, theksoi Wisner.
Wisner u shpreh se “shoh Këshillin tonë Rinor dhe Ambasadorët e Natyrës që u mësojnë bashkëmoshatarëve të tyre të bëhen qytetarë aktivë dhe të angazhuar, mësime vendimtare për të ndërtuar demokracinë e Shqipërisë. Shoh mësues dhe përkthyes të gjuhës së shenjave nga Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë që i përgatisin nxënësit e tyre të kenë sukses, duke u bërë shembull për mundësi të barabarta për të gjithë”.
“Shoh punonjës nga të gjitha degët e qeverisë që ofrojnë shërbime thelbësore në komunitetet e tyre dhe punojnë për t’i bërë ato më të forta. Shoh biznesmenë dhe sipërmarrës që bëjnë novacione, ofrojnë produkte e shërbime të reja, të cilat përmirësojnë jetën dhe krijojnë vende pune, në përpjekje për ta bërë Shqipërinë një vend ku të rinjtë të duan të ndërtojnë jetën e tyre. Shoh përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medieve të pavarura që marrin përsipër rreziqe dhe mbështesin nevojat e atyre që nuk kanë zë, ndërsa organizojnë qytetarët për çështje të rëndësishme për ta dhe për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë”, nënvizoi Wisner.
I Ngarkuari me Punë Wisner tha se “shoh gjyqtarë, prokurorë, hetues, avokatë dhe shumë të tjerë që punojnë shumë për të reformuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që të gjithë të jenë me të vërtetë të barabartë përpara ligjit”.
“Teksa NATO i afrohet ditëlindjes së 75-të, shoh anëtarë të ushtrisë shqiptare që po mbrojnë demokracinë dhe vlerat tona të përbashkëta prej atyre që kërkojnë t’i shkatërrojnë ato. Me pak fjalë, shoh një komunitet njerëzish që kjo Ambasadë është thellësisht krenare t’iu qëndrojë krah për krah si miq, partnerë dhe aleatë”, tha Wisner.