Tuma e Kamenicës, rreth 15 km larg Korçës, është një ndër sitet arkeologjike më të rëndësishme edhe në Ballkan. Me çeljen e sezonit turistik, Tuma e Kamenicës është kthyer në një destinacion mikpritës për vizitorë të huaj, të cilët kanë vizituar Korçën dhe destinacionet kryesore pjesë e trashëgimisë tulturore të qytetit. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore tha se “në këtë vendvarrim prehistorik janë evidentuar varre, skelete kockore, objekte arkeologjike si qeramikë, armë, stoli prej bronxi, hekuri, argjendi, ari, qelibari dhe kocke”. Tuma e Kamenicës është monument kulture i llojit arkeologjik ku janë zbuluar rreth 425 skelete dhe 3600 objekte. Kjo tumë është më e madhja e gjetur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Larmishmëria e objekteve prehistorike janë pasuri e patjetërsueshme e historisë ku tregohet jeta dhe vazhdimësia. Varret më të hershëm të saj i përkasin periudhës së bronzit të vonë rreth shek XII p.e.s. Kjo tumë ka pushuar së funksionuari rreth mesit të shek VI p.es, pra ka një histori gati 700- vjeçare.