Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIAmCham: Trend në rritje ecuria e ekonomisë, investimet dhe klima e biznesit

AmCham: Trend në rritje ecuria e ekonomisë, investimet dhe klima e biznesit

Dhoma Amerikane e Tregtisë organizoi në Tiranë Konferencën Ekonomike me temën “Ristrukturimi Ekonomik për një Perspektivë të Re”.

Konferenca synoi përcjelljen përmes raporteve të Indeksit të Biznesit 2024 të AmCham dhe pyetësorit nga revista “Monitor”, për perceptimin e biznesit mbi indikatorët kryesorë të klimës ekonomike si dhe mundësoi një diskutim midis ekspertëve, përfaqësuesve biznesit, të qeverisë dhe parlamentit, mbi rrugët më të mira të përmirësimit të tyre.

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant van Cleve, vuri në dukje se, ka pasur një përmirësim të indeksit të besimit të biznesit.

Ndërsa ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, deklaroi Blendi Gonxhja deklaroi se “shkëmbimet me SHBA kanë prekur nivelin më të lartë të arritur ndonjëherë, duke i kaluar 100 milionë dollarë, me një bilanc në favorin tonë. Këto konfirmojnë momentin e mirë të ekonomisë shqiptare me rritjen më të lartë në rajon. Shqipëria është bërë një vend që po tërheq investitorët e huaj. Por jo çdo gjë që shkëlqen është ar. Jemi në dijeni për shqetësimet e bizneseve. Ndonëse indeksi tregoi përparime, problemet si mungesa e fuqisë punëtore infrastruktura jo optimale, burokracitë, janë në krye të axhendës sonë të punës”.

Indeksi i besimit të biznesit arriti në 47.57, nga 100, duke u rritur me +4.16 pikë në raport me vitin e mëparshëm.

“Prej 11 vitesh indeksi mat perceptimin e biznesit tonë. Për herë të parë në 11 vjet është arritur niveli më i lartë prej 47.57 pikë dhe e rëndësishme është që trendi vazhdon pozitiv. Por jemi ende në zonën e nxehtë, pasi indeksi është ende nën 50 pikë”, deklaroi Neritan Mullaj, drejtori ekzekutiv i AmCham.

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, tha se, “shqetësimet e biznesit në 10 vitet e fundit janë të njëjta, që do të thotë që diçka nuk shkon. Shqetësimi kryesor lidhet me problemin e fuqisë punëtore që është i lidhur me atë që kam ngritur shpesh, për largimin e shtresës së mesme”.

Pesë shqetësimet kryesore të raportuara nga të anketuarit për vitin 2023 mbetën: Gjetja e stafit të kualifikuar vendas, konkurrenca e pandershme, ekonomia joformale, burokracia dhe niveli i përgjithshëm i taksave.

Pavarësisht një përmirësimi të lehtë në vitin 2023, gjetja e stafit të kualifikuar vendas raportohet ende si e vështirë ose shumë e vështirë nga 74.1% e kompanive që u përgjigjën. Ky tregues mori 25.95 pikë, nga 100, pothuajse sa gjysma e mesatares së indeksit total.

Një tendencë e ngjashme raportohet për “Monopolin dhe konkurrencë të pandershme” (me përmirësim +3,03 pikë), duke u ngjitur në 34.16 pikë; “Niveli i ekonomisë informale” (+2,43 pikë), ne 35.71 pikë; dhe “burokracia qeveritare” (me 36.02 dhe përmirësim +2,74 pikë), të cilat pavarësisht përmirësimit mbeten ende shqetësuese për shumicën. të të anketuarve.

“Furnizimi me energji” dhe “Rendi dhe siguria në vend” rezultuan të jenë elementët me perceptimin më të mirë për kompanitë e anketuara gjatë vitit 2023. “Furnizimi me Energji” arriti pikën më të lartë prej 72.05. Treguesi “Rendi dhe Siguria” arriti në 64,44, duke u përmirësuar dukshëm me +7,85 pikë.

Një perceptim i ngjashëm pozitiv është raportuar edhe në vitin 2023 për marrëdhëniet me administratën publike, ku treguesi më pozitiv është ende raporti me Autoritetet Doganore, me 64.4 pikë, me një përmirësim prej 1.51 pikë.

Marrëdhëniet me Autoritetet Doganore janë elementi i katërt më pozitiv, pas Energjisë dhe Sigurisë. Marrëdhëniet me autoritetet e Taksave janë përkeqësuar lehtë, me -0.31 pikë, por sërish mbeten në një nivel të lartë prej 60.85 pikësh, duke u renditur menjëherë pas Doganave.

Perceptimi i të anketuarve për “Ecurinë e ekonomisë shqiptare” në vitin 2023 është përmirësuar ndjeshëm (+13,99 pikë), shoqëruar me një përmirësim të “Kërkesës për mallra dhe shërbime” (+3,90 pikë), “punësim” (+5,01 pikë) dhe “Investimet” (+5,15 pikë). Treguesi për “Kërkesa për mallra dhe shërbime në eksporte” ra me -3.29 pikë për të njëjtën periudhë.

Për vitin 2024, anëtarët e Dhomës Amerikane parashikojnë një tendencë pozitive për ecurinë e ekonomisë shqiptare, investimet dhe klimën e biznesit.

Anketa e Indeksit të Biznesit të AmCham 2023 u krye në internet nga 24 shkurt deri më 18 mars 2024. Numri i përgjithshëm i të anketuarve që kanë marrë pjesë në anketë është 161 nga të cilët 156 e kishin përfunduar plotësisht anketën duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve.

Sondazhi iu drejtua ekskluzivisht anëtarëve të Dhomës Amerikane dhe kërkoi opinionin e tyre në lidhje me mjedisin e biznesit në Shqipëri gjatë vitit të kaluar (2023) dhe vlerësimin e tyre për vitin aktual (2024).

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments