Elektropomat e vjetra të hidrovorit të Akernisë, që prej 40 vitesh, e kishin humbur ndjeshëm kapacitetin e largimit të ujit, janë zëvendësuar me elektromekanikën e gjeneratës së fundit që do të garantojë kullimin e rreth 4600 ha tokë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila ishte sot në Akernisë, e shoqëruar nga kreu i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, bëri të ditur se ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i hidrovorit, me vlerë rreth 150 milionë lekë.
“Përfundon rikonstruksioni i plotë i hidrovorit të Akernisë, me vlerë rreth 150 milion lekë, ku elektropomat e vjetra prej 40 vitesh, që kishin humbur ndjeshëm kapacitetin e largimit të ujit, janë zëvendësuar me elektromekanikën e gjeneratës së fundit që do të garantojë kullimin e rreth 4600 ha tokë, duke i shërbyer tokës bujqësore, por edhe gjithë infrastrukturës shumë bashkëkohore që po ndërtohet, sidomos me aeroportin e Vlorës”, deklaroi ministrja Denaj.
Sipas saj, teknologjia e re e pompave kursen deri në 50 mijë lekë për metër kub ujë, duke e bërë hidrovorin më efikas dhe ekonomik.
“Ky investim është një tjetër hap përpara në përmirësimin e sistemeve të hidrovoreve në Shqipëri, duke ndihmuar zhvillimin e zonës dhe përmirësimin e kushteve për komunitetin”, tha Denaj.