Të ardhurat e mbledhura në buxhet gjatë 5 muajve të parë të këtij viti arritën në rreth 287.1 miliardë lekë, ose 103.4 % e planit të së njëjtës periudhë.
Ministria e Financave publikoi raportin për treguesit fiskale gjatë periudhës janar-maj, sipas të cilit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u mblodhën rreth 29 miliardë lekë më shumë, ose 11.2 % më shumë se pesë-mujori i vitit 2023.
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, përfshirë edhe kontributet e mbledhura nga DPT, arritën në 247 miliardë lekë, 22.8 miliardë lekë ose 10.2 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, si dhe 4.9 miliardë lekë ose 2 % më shumë se plani 5-mujor për vitin 2024.
Të ardhurat doganore, ku përfshihen të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare, u realizuan në vlerën 89.7 miliardë lekë, 5.6 miliardë lekë ose 6.6 % më shumë se 5-mujori 2023, si dhe 108 milionë lekë ose 0.1 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 5-mujorin e vitit 2024.
Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 5-mujore të vitit 2024, arritën në rreth 236.6 miliardë lekë me një realizim në masën 93.8 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ato rezultojnë 6.4 % më të larta ose rreth 14.3 miliardë lekë më shumë.
Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 5-mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 32.1 % të planit vjetor sipas buxhetit fillestar.
Shpenzimet korente për periudhën 5-mujore të vitit 2024 rezultuan në rreth 216.1 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 9.1 % më i lartë, ose rreth 18.1 miliardë lekë më shumë.