Inflacioni bazë po vijon rënien dhe tashmë ndodhet në nivelet më të ulëta të tre viteve të fundit. Sipas informacionit Bankës së Shqipërisë, në muajin maj inflacioni bazë zbriti në 2.33%, nga 3.2% që ishte në fund të vitit të kaluar dhe 5.41% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e inflacionit bazë është më e ulëta që prej tetorit 2021. Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Inflacioni bazë përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Tashmë, inflacioni bazë është shumë afër nivelit të inflacionit të shportës së plotë të çmimeve të konsumit, që sipas INSTAT për muajin maj ishte 2.2%. Rënia e inflacionit bazë është një tregues domethënës për kursin e pritshëm të politikës monetare. Nëse kjo tendencë do të vazhdojë, së shpejti edhe Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë rikthimin në kahun lehtësues të politikës monetare dhe uljen e normave të interesit. Aktualisht, Shqipëria ka një normë interesi në nivelin 3.25%, ende ndër më të ulëtat në Europë.
Inflacioni bazë, në nivelin më të ulët që prej vitit 2021
RELATED ARTICLES