Rriten këmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë në katërmujorin e parë të vitit 2024. Drejtori i Doganës në Kosovë, Agron Llugaliu në një intervistë për KosovaPress thekson se pas vendosjes së masave të sigurisë nga qeveria, ka rënie të importit nga Serbia për rreth 70 për qind, ndërsa shton se ka rritje të importit nga ana e Shqipërisë për rreth 25 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Llugaliu ka deklaruar se në dy vitet e fundit ka rënie të kontrabandës në pjesën veriore të vendit, derisa shton se sundimi i ligjit në atë pjesë është i shtrirë në mënyrë efikase. Llugaliu ka thënë po ashtu se masa e sigurisë ndaj mallrave serbe e vendosur një vit më parë, ka ndikuar që të mos ketë kontrabandim të armatimit dhe pajisjeve tjera nga Serbia. Përveç që ka rënë kontrabanda, Llugaliu thotë se janë realizuar edhe aktivitete tjera që kanë përfshirë edhe pjesën tjetër të vendit. Ndërkaq, thotë se rreth 70 për qind ka reduktim të importit të përgjithshëm nga Serbia. Llugaliu thotë se e rëndësishme në këtë drejtim është që masa e sigurisë ka qenë efikase duke treguar që nuk kanë pasur infiltrim ose tentim të kontrabandimit të armatimit dhe pajisjeve tjera. Sa i përket importit me Shqipërinë, Llugaliu thotë se ka rritje prej 25 për qind në katërmujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor nga Qeveria e Kosovës, atë ditë kur ishin rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës. Më vonë Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte.
Rriten këmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri
RELATED ARTICLES