Akropoli i Athinës, vendi më i vizituar në Greqi, do të qëndrojë i mbyllur për publikun sot në orët më të nxehta të ditës. ”Ministria e Kulturës bën me dije se zona arkeologjike e Akropolit do të jetë e mbyllur nga ora 12:00-17:00”, njoftoi ministria, pasi temperaturat mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius. Vala e të nxehtit, e para e vitit në vend, pritet të zgjasë deri nesër. Ministria e Mbrojtjes Civile paralajmëroi për një rrezik shumë të lartë zjarresh, veçanërisht në rajonin e Atikës, ku ndodhet Athina. Në disa zona, përfshirë edhe kryeqytetin, shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri nesër, ndërsa Ministria e Punës ka rekomanduar punën online për punonjësit publikë. Ata që punojnë jashtë këshillohen gjithashtu të përdorin pajisje mbrojtëse personale dhe të shmangin punën gjatë orëve të pikut, nga mesdita deri në orën 17:00. Shërbimet e ambulancës dhe autoritetet mjekësore janë paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë për të qenë në gatishmëri.