Wednesday, November 27, 2024
HomeSOCIALEKOSOVA Nis zbatimi i regjimit të lirë të trafikut ndërkufitar mes Shqipërisë e...

 Nis zbatimi i regjimit të lirë të trafikut ndërkufitar mes Shqipërisë e Kosovës

 Ministri i Brendshëm Taulant Balla njoftoi se ka hyrë në fuqi regjimi i lirë i trafikut në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive.

Balla, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se në Pikat e Kalimit Kufitarë në Morinë dhe Vermicë do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit.

“Sot fillon zbatimi i regjimit të lirë të trafikut lokal të kufirit në hapësirën prej 30 km nga të dy anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, në pikat e veçanta të kalimit kufitar. Ndësa në Pikat Kufitare të Morinës dhe Vermicës do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit”, shkruan Balla.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje të firmosur më 26 nëntor 2021, zona kufitare e lëvizjes së lirë të banorëve me leje të trafikut lokal kufitar është deri në 30 km brenda territorit të palëve nënshkruese.

Marrëveshja parashikon ekzistencën e një entiteti territorial-administrativ, 30 km në brendësi të Shqipërisë dhe 30 km në brendësi të Kosovës, ku shtetasit në të dyja anët do të përfitojnë shërbime të njëjta si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, sikur të jenë shtetas të të dyja vendeve.

Marrëveshja me qëllim lehtësimin e qarkullimit lokal kufitar është iniciuar në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të të dyja qeverive, me qëllim thjeshtëzimin e lehtësimin e procedurave dhe të masave të lidhura me regjimin e trafikut kufitar lokal e të lejeve për këtë qëllim përgjatë kufirit. Kjo marrëveshje synon ta lehtësojë qarkullimin e banorëve të zonës kufitare, të cilët kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën kufitare të palës tjetër, me kusht që kohëzgjatja e qëndrimit të tyre të mos jetë më e gjatë se 90 ditë brenda 180 ditëve.

Banorët e zonës kufitare do të lejohen të kalojnë kufirin tokësor në bazë të regjimit të trafikut lokal kufitar, me kusht që: të posedojnë një dokument të vlefshëm identifikimi; të posedojnë lejen e trafikut lokal kufitar; të mos jenë subjekt i një mase të ndalimit të hyrjes në territorin e palëve nënshkruese ose që nuk përbëjnë kërcënim për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në bazë të marrëveshjes së firmosur në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, termi “zonë kufitare” nënkupton zonën që arrin jo më shumë se  30 kilometra nga kufiri tokësor. Ndërkohë që “banorë të zonës kufitare” nënkupton shtetasit e të dyja palëve nënshkruese që janë banorë në zonën kufitare për një periudhë të caktuar në këtë marrëveshje, që duhet të jetë së paku një vit. Ndërsa “trafiku lokal kufitar” nënkupton kalimin e rregullt të pikës së kalimit kufitar apo edhe jashtë pikës së kalimit kufitar, ashtu siç përcaktohet me këtë marrëveshje, nga banorët e zonës kufitare, me qëllim të qëndrimit në zonën kufitare të palës tjetër nënshkruese, për arsye sociale, kulturore, arsimore, familjare, shëndetësore ose arsye të vërtetuara ekonomike, për një periudhë që nuk tejkalon afatin kohor të përcaktuar në këtë marrëveshje.

“Leja e trafikut lokal kufitar” nënkupton një dokument të veçantë që u jep të drejtën banorëve të zonës kufitare ta kalojnë pikën e kalimit të kufirit dhe jashtë tyre dhe të qëndrojnë në zonën kufitare të palës tjetër nënshkruese në përputhje me dispozitat e kësaj marrëveshjeje. Në lejen e trafikut lokal kufitar sipas regjimit të trafikut lokal kufitar nuk aplikohet vendosja e vulës së hyrjes dhe daljes. Gjatë kryerjes së verifikimit kufitar të banorëve kufitarë që janë të pajisur me leje të trafikut lokal kufitar, nuk është e nevojshme të vërtetohet qëllimi i hyrjes ose posedimi i mjeteve të mjaftueshme financiare për jetesë.

Nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 300 mijë banorë, të cilët mund të ndjekin lirisht shkollën që nga fillorja e deri në të mesmen, në varësi të vendndodhjes së institucioneve arsimore në të dy anët e kufirit. Mund të shkojnë të punojnë në të dy anët e kufirit.

Marrëveshja po ashtu pritet t’u japë një impuls të ri ekonomisë, tregjeve lokale të zonave kufitare si dhe shërbimeve mes dy vendeve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments