Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, do të organizojë në qytetin liqenor të Pogradecit aktivitetin RETRO. “RETRO “Zonja nga qyteti”, më 14-15 qershor 2024, në Pogradec. Automjetet klasike do të rikthejnë atmosferën e viteve të arta në bregun e liqenit të mahnitshëm”, njoftoi DPSHTRR-ja në një postim në rrjetet sociale. Ky aktivitet i veçantë është një mundësi e shkëlqyer për të parë nga afër disa nga makinat më ikonike të kohës dhe për të përjetuar nostalgjinë e një epoke të shkuar. Eventin do ta shoqërojnë një sërë aktivitetesh të ndryshme si ekspozita me mjete retro, performanca nga Kori i Fëmijëve dhe grupi “Nostalgjia”, si dhe koncerti i Fanfarës Tirana. Do të ketë gjithashtu një paradë të mjeteve retro në Sheshin e Trëndafilave në Drilon, dhe një program artistik nga Universiteti i Arteve, kuarteti i harqeve “SinfoArt” dhe performanca baleti Flamenco. Për ata që preferojnë aktivitetet sportive, do të organizohen gara beach volley, arte marciale, street basket, futboll në rërë dhe gara me kanoe. Aktiviteti organizohet në bashkëpunim me bashkinë e Pogradecit, duke siguruar një realizim të suksesshëm dhe një eksperiencë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.