Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Ferrit, është mbajtur mbledhja komemorative në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në të cilën është kujtuar vepra e tij, ndërsa të pranishmit kanë bërë edhe homazhe. Në fjalën e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja ka theksuar se Republika jonë është e artit dhe veprave si shkak i artistëve siç është Rexhep Ferri. Kraja ka thënë se Ferri ka zënë një vend nderi në historinë e artit të Kosovës. Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka derisa ka kujtuar figurën e tij, ka thënë se nga veprat e intelektualit Ferri do të mësojnë të gjithë brezat, ndërsa ka shtuar se i njëjti do të kujtohet përherë si artisti më i veçantë. Kurse, përfaqësuesi i familjes Ferri, Naser Ferri ka thënë se sot përveç familjes edhe për mbarë shqiptarinë është ditë e dhimbshme, pasi vendi ka humbur një intelektual të shquar. Ai është shprehur se piktori Ferri pas vetes ka lënë një veprimtari të pastër artistike për të gjitha gjeneratat. Rexhep Ferri u lind në Kukës më 1937. Në vitin 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa në vitin 1966 u diplomua në degën e pikturës të Akademisë së Arteve në Beograd. Në periudhën 1974-2005 ishte pedagog në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i kësaj Akademie. Ka botuar libra me poezi, romane, ese. Veçohen nëntë tituj të përmbledhur në veprat e zgjedhura letrare. Më 1971 mori Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, iu dha titulli Qytetar Nderi i Vlorës. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u hap ekspozita tij personale me veprat e zgjedhura. Po në Akademi u botua edhe monografia për veprën e tij.
Nderohet jeta dhe vepra e akademik Ferrit
RELATED ARTICLES