Reduktohet me 2 miliardë lekë borxhi ndaj OSHEE

0
0

Detyrimet e qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve publike për faturat e papaguara të energjisë elektrike ndaj kompanisë OSHEE Group janë reduktuar me rreth 2 miliardë lekë, gjatë periudhës janar-prill 2024. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përmes një njoftimi për shtyp bëri të ditur sot se krahasuar me 4-mujorin e parë 2023, ka një reduktim të detyrimit me 3%, ku peshën kryesore në zbutjen e borxhit e kanë dhënë subjektet private, si dhe klientët familjarë. Ofrimi i skemave lehtësuese për shlyerjen e debive të akumuluara ndër vite, është njëra ndër arsyet e zbritjes së vlerës së borxhit që klientët familjarë/jofamiljarë, buxhetorëdhe jobuxhetorë kanë ndaj OSHEE Group. Faktor tjetër janë masat organizative që grupi OSHEE ka ndërmarrë me strukturat e terrenit për “ndjekjen e debitorëve”, por edhe ndërgjegjësimi i abonentëve, nisur nga investimet në rrjetin elektrik dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit në furnizimin me energji elekritike. Për periudhën janar-prill 2024, të parët në likuidimin e detyrimeve të prapambetura ndaj kompanisë OSHEE janë klientët privatë, me 14% reduktim të borxhit, ose afërsisht 1.6 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Borxhi ndaj OSHEE i klientëve familjarë zbriti me 2%, kurse borxhi i institucioneve buxhetore me 0.3%. Në total, borxhi ndaj OSHEE Group, nga të katër kategoritë: familjar, privat, buxhetor dhe jobuxhetor, deri në fund të muajit prill 2024 arriti në 78.8 miliardë lekë, nga 80.89 miliardë, që ishte në të njëjtën periudhë në vitin 2023. Referuar statistikave ndër vite, me zbatimin e reformave në sistemin energjetik dhe mundësive që u ofruan nga kompania për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, përmes kësteve lehtësuese, duke përfituar dhe reduktim të kamatëvonesës, borxhi ka ardhur në rënie. Në raport me 10 vitet e fundit, kur nisi zbatimi i reformës, ka një reduktim të borxhit me rreth 17 miliardë lekë. Shuma e prapambetur e detyrimeve ndaj kompanisë OSHEE, pritet të reduktohet më tepër përgjatë këtij viti, me rikthimin e skemës së shlyerjes së debisë për faturat e papaguara të energjisë deri më 31 dhjetor 2022. Deri më tani, numërohen mbi 1628 aktmarrëveshje të firmosura mes klientëve debitorë familjar/privat, buxhetorë/jobuxhetorë dhe kompanisë OSHEE Group. OSHEE fton klientët e saj të bëhen pjesë e këtij procesi, me qëllim reduktimin e borxhit të akumuluar, përmes skemave lehtësuese të shlyerjes së debisë me këste, duke përfituar reduktim të kamatëvonesave deri në 100 % për biznesin e vogël.