Shqipëria prej ditësh ka filluar grumbullimin për përgatitjen e Europianit. Nga Tirana në Austri, kuqezinjtë po zhvillojnë fazën përgatitore në kuadër të finaleve “Gjermani 2024”.
Mbrëmjen e djeshme ekipit i është bashkuar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Në një intervistë për Top Channel me gazetarin Endi Tufa, kreu i qeverisë shqiptare të futbollit tregon diferencën e këtij grumbullimi me atë të 8 viteve më parë, për në Euro 2016-të.
“Pa dyshim që kemi më shumë eksperiencë, nga pikëpamja organizative por edhe kemi futbollistë në skuadër që tashmë e kanë një eksperiencë të Evropianit dhe ky kompeticion ka veçoritë e veta, nuk është i njëjtë dhe besoj që kjo eksperiencë do të na ndihmojë të bëjmë një hap përpara, të bëjmë më mirë në të gjitha këndvështrimet. Pa dyshim që në Europian do të na presin skuadra të tjera me më shumë eksperiencë se ne në të gjitha këndvështrimet, por ne duhet të bëjmë maksimumin për t’i sfiduar ato”, tha fillimisht Duka, i cili foli edhe për ndryshimet që ka pësuar futbolli shqiptar, që shihet me një tjetër sy ditët e sotme.
“E gjithë bota e futbollit e sheh ndryshe sot futbollin shqiptar dhe aq më shumë ekipin Kombëtar. E sheh me më shumë respekt, për atë ç’ka ka dhënë në futbollin ndërkombëtarë, respekt për atë ç’ka në përbërjen e saj. Futbollistë që luajnë në ekipe të mira, për stafin, për trajnerin me shumë më emër në botën e futbollit dhe me shumë respekt për Federatën e Futbollit e cila sigurisht nuk është si më parë, është ndryshe, shumë më e organizuar me më tepër eksperiencë. Por i gjithë ky respekt nga të gjithë nuk është se na bën mirë sepse sa me më nënvlerësim të na shohin aq më mirë do të ishte, por sot nuk ka më nota nënvlerësimi për ne, kështu që ne duhet të jemi shumë të përgatitur për t’u përballur me skuadra që do të na vlerësojnë maksimalisht”, theksoi Duka, i cili më tej shtoi se, me trajnerin Silvinjo është arritur në parim një marrëveshje për të zgjatur bashkëpunimin.
“Kam shprehur dëshirën e madhe të të gjithë shqiptarëve që duan t’i kalojnë pushimet në Gjermani me sport dhe nëse do të kenë mundësi të ndjekin skuadrën e tyre të zemrës sa më gjatë e aq më shumë të lumtur do të jenë të gjithë për t’i kaluar deri më 14 korrik pushimet në Gjermani, pushime sportive, pushime aktive. Nuk kemi patur kohën fizike për të zhvilluar një ceremoni apo për të bërë një marrëveshje zyrtare, por parimisht kemi rënë dakord për të vazhduar me të njëjtin staf. Sigurisht jemi të përqendruar 100% tek Kampionatin Evropian, por me një sy dhe mendje, mendojmë edhe për të ardhmen. Kemi diskutuar me Silvinjon edhe për organizimin e ndeshjeve të Nations League, sepse jo vetëm mund të kalojnë në Grupin A në Nations League, por mund të sigurojmë edhe një vend për “play-off” për Botëror. Pra Evropianin e konsiderojmë një objektiv të arritur dhe me Silvinjon kemi vënë piketat për të ardhmen, dhe nuk do të jemi pa trajner pas Evropianit. Ende s’kemi hedhur gjë në letër, por Silvinjo do të vazhdojë deri në përfundim të ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2026 dhe në rast kualifikimi deri në fund të Botërorit 2026. Sa më mirë të bëjmë aq më mirë është për Federatën, aq më mirë është për futbollin, aq më shumë mundësi kemi dhe të ardhura më tepër për t’i investuar në futboll dhe për t’i rikthyer tek ekipi dhe stafi i tij, kështu që Silvinjo sa më mirë të bëjë, aq më mirë do të jetë, qoftë edhe ekonomikisht për të”, tha Duka.
Në Evropianin e shkuar, pavarësisht vështirësive të kundërshtarit apo faktit që ishim debutues, arritëm t’i marrim 3 pikë, beson se mund ta përsërisim atë arritje, apo mund ta përmirësojmë?
“Nuk dua të vë nën presion askënd, as stafin dhe as lojtarët, dua që ata të jenë lirshëm për të shprehur cilësitë e tyre sportive. Nëse i kthehemi Evropianit të shkuar në pjesën e parë ndaj Zvicrës ekipi ynë thuajse nuk ishte në fushë, pasi ishte nën presion, sepse ishte dhe hera e parë që merrnim pjesë në një kompeticion të tillë dhe për 15 minuta Zvicra mund të na ndëshkonte edhe më tepër, por tani nuk dua të jemi nën presion. Pa dyshim që kam besim që mund të bëjmë më tepër se sa 3 pikë, por çfarëdo të ndodhi, i bëjmë apo nuk i bëjmë, unë do të jem në mbështetje të të gjithë ekipit dhe stafit. Këtë e kërkoj edhe nga e gjithë tifozeria, të jenë të kënaqur me atë që ka arritur skuadra dhe të mos e vënë nën presion”.
Për kërkesat e tifozëve për ndeshjen Shqipëri-Itali, Duka u shpreh se, “do të ketë shumë shumë pjesëmarrje në të gjitha nivelet e tribunave në ndeshjen me Italinë sepse ka një interes të madh nga bota mediatike sportive. Unë e kam thënë që kur u hodh shorti që për mua nuk është një short i keq, por një short i mirë, sepse në fund të fundit shkon në një kompeticion të rëndësishëm për t’u përballur me skuadra të mira, dhe që të përballesh me to duhet të shkosh deri në finale, por ne i kemi që në grup dhe nëse do të bëjmë mirë me to, do të jemi akoma më të sigurt për të shkuar më larg në Evropian”.
Duka tha se, “jo vetëm ndeshja miqësore me Lihtenshtajnin, por çdo minutë dhe çdo gjë gjatë grumbullimit është shumë e rëndësishme. Nëse ekipi do të jetë vërtetë i përqendruar dhe do të gjejë balancat e duhura do të bëjë mirë edhe në ndeshjet zyrtare. Nuk është për t’u nënvlerësuar ndeshja miqësore, nuk është se është shumë i rëndësishëm rezultati edhe pse gjithsesi edhe ai duhet, sepse nëpërmjet tij skuadra shkon me më tepër konfidencë në Europian”.