INSTAT publikoi rezultatet e anketës së përdorimit të teknologjisë së informacionit (TIK) gjatë vitit 2022, nga grup-mosha 16-74 vjeç. Sipas rezultateve të anketës, 82.6 % e popullsisë përdorin internet, nga të cilët 91,6 % e përdorin disa herë gjatë ditës. Ndërsa 99,9 % e individëve kanë përdorur aparat celularë/telefona inteligjent (smart) për të hyrë në internet. Referuar rezultateve, 23,5 % e popullsisë e përdorin internetin nëpërmjet laptopit, 20,8 % nëpërmjet kompjuter/desktop dhe 13,1 % nëpërmjet tabletit. 98,5 % kryejnë thirrje/video thirrje (përmes Skype, Viber, WhatsApp) dhe ky tregues ka shënuar rritje prej 0,2 %, krahasuar me vitin 2021. Familjet me akses në internet Përqindja e familjeve shqiptare që kanë akses në internet është 96,5 %, krahasuar me 88,3% të një viti më parë. 90,3 % ose 665.362 familje kanë akses në internet me rrjet fiks broadband (rrjet optike ose kabllor, ADSL, etj.), tregues i cili ka shënuar rritje prej rreth 12 %. Përqindja e familjeve me akses në internet nëpërmjet lidhjes “mobile broadband” (3G/4G, tablet,etj.), është 99,2 %, krahasuar me 99,1 % në vitin 2021. Individët e moshës 16-74 vjeç që kanë përdorur internetin në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës, përfaqësojnë 82,6 % të popullsisë në studim. Ndërkohë që në vitin 2022 të gjitha kategoritë për kontaktet elektronike nëpërmjet internetit me autoritetet publike dhe disa shërbime publike, si faqet e internetit në lidhje me detyrimet e qytetarëve (p.sh, deklaratën tatimore, njoftimin për zhvendosje), të drejtat (p.sh përfitimet sociale), dokumentet zyrtare (p.sh letërnjoftim, certifikatë të lindjes), shërbimet arsimore publike (p.sh biblioteka publike, informacion mbi regjistrimin në shkollë ose universitet, shërbimet e shëndetit publik) kanë shënuar rritje. ATSH
99.9 % e individëve qasje në internet përmes telefonit
RELATED ARTICLES