Zonat e mbrojtura në të gjithë vendin edhe gjatë këtij viti vijojnë të tërheqin vizitorë të shumtë me bukurinë e tyre natyrore dhe peizazhet mahnitëse
Turizmi natyror dhe zonat e mbrojtura janë në fokus të buxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vitin 2025, me dy projekte kryesore siç është ngritja e infrastrukturës në Eko-Park Ulza dhe Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës.
Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Zonat e mbrojtura në vendin tonë datojnë në vitin 1940 me shpalljen dhe krijimin e rezervatit të parë shtetëror të gjuetisë (Kune-Vain-Tale) në Lezhë dhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit në Berat.
Krijimi i një parku kombëtar është një mënyrë për të ruajtur trashëgiminë tonë të përbashkët natyrore dhe kulturore.
Disa nga parqet kombëtare të Shqipërisë janë: Parku Kombëtar i Dajtit: Parku Natyror i Dajtit, Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës”, Parku Kombëtar “Thethi”, Parku Kombëtar i Lurës, Parku Kombëtar “Mali i Tomorit”, Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, Parku Kombëtar “Llogora”.