Fermerët të cilët shesin produktet e tyre po regjistrohen në zyrat rajonale tatimore, duke u pajisur me numër identifikimi të personit të tatueshëm (NIPT). Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, numri i fermerëve të pajisur me NIPT deri në gjysmën e parë të këtij viti është 84 mijë, duke shënuar një rritje me mbi 20 % krahasuar me vitin 2021. Referuar të dhënave, fermerët e regjistruar në bashkinë Lushnjë zënë 15 % të fermerëve aktivë të pajisur me NIPT, ndërsa rreth 30 % e fermerëve ushtrojnë aktivitetin ekonomik në ferma mikse dhe mbi 8 mijë, ose 10,8 % e fermerëve pronarë apo drejtues janë gra. Prej disa vitesh qeveria është kthyer në një partnere të fermerit në vend. Skemat financuese të fermerëve të aplikuara nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural dhe programi IPARD, vit pas viti kanë nxitur edhe ndërgjegjësimin e tyre për t’u formalizuar dhe për t’u pajisur me NIPT përkatës, si kriter kryesor për të qenë përfitues të të masave mbështetëse me grante. Gjithashtu ndikim në formalizimin e fermerëve kanë dhënë edhe investimet në vepra publike të infrastrukturës ujitëse dhe kulluese, tregjeve bujqësore. Kështu nga 130 mijë ha tokë afërsisht që ishin nën ujë në vitin 2013, sot llogariten 225 mijë hektarë. Qeveria po ashtu ka hartuar programe financimi për stimulimin e pikave të grumbullimit, frigoriferëve dhe linjave të përpunimit. Nga ana tjetër eksportet e produkteve bujqësore në 8 vite u rritën me katërfish, ndërsa parashikohet që në fund të 2030-ës ato të shkojnë në 1 miliard dollarë. Vetëm nga skema e mbështetjes së subvencionimit të karburanteve kanë përfituar 34 606 sipërmarrje në fushën e bujqësisë, të cilat tashmë janë të regjistruara dhe kanë një NIPT. Kjo pritet të ndikojë pozitivisht edhe në formalizimin e fermerëve.https://ata.gov.al/2022/11/09/gati-84-mije-fermere-jane-pajisur-me-nipt/