Më 19 dhjetor të vitit 1959 u shemb Pazari i Vjetër i Tiranës, shkatërrimi i të cilit i la vendin ndërtimit të Pallatit të Kulturës. Dyqanet që prej tri shekujsh ushtronin aktivitetet në atë pazar, nuk u spostuan dhe për ato nuk pati asnjë plan se ku do të zhvendoseshin, shumë pak prej tyre arritën të gjejnë hapësira alternative. Shkatërrimi i tij për komunitetin tiranas ishte një ngjarje e dhimbshme. Pazari, duke jetuar si qytezë brenda qytetit, funksiononte si hapësira më e madhe publike, si pikëtakim dhe pikë referimi për banorët. Karakteri tregtar i Pazarit të Vjetër, ku shiteshin nga zejet e bakrit e deri tek të linjat e qëndisura me ar, nuk gjeti vend në Pazarin e Ri, i cili që në gjenezë u konceptua si zgjatim i pazarit, pa pasur si qëllim zëvendësimin e tij. Pazari i Ri, ruajti karakterin e tij fillestar, atë të fruta perimeve dhe markatës së peshkut e mishit. Pazari i Vjetër i Tiranës i dha qytetit karakterin tregtar përgjatë shekujve. Për gati 300 vjet, pazari u zhvillua si qendra ekonomike e qytetit. Pikëtakimi i ndodhur në kryqëzimet e rrugës së Dibrës, me të Durrësit, të Shkodrës me të Elbasanit, ishte pozicioni më i favorshëm për të zhvilluar tregtinë ndërqytetëse. Aktiviteti tregtar njohu lavdinë e tij në fund të viteve 1800, kur kapaciteti arriti në 727 dyqane. Çdo rrugë kishte profesionistët e vet, kështu qytetari e dinte ku do të shkonte dhe çfarë do të gjente në secilën prej tyre. Ishte Esat Toptani, që në vitin 1907, ndryshoi “fytyrën” e pazarit, duke i kërkuar tregtarëve të përshtateshin me kohën, duke shtruar fillimisht me kalldrëm rrugicat e pazarit e më pas deri tek vendosja e qepenave modernë në dyer dhe dritare. Ndërkohë Pazari i Ri, u rijetësua me një investim të Fondit Amerikano-Shqiptar të zhvillimit, duke u inauguruar më 14 mars 2017. Pazari i ri, sot është zonë këmbësore e Tiranës, dhe funksionon si qendër tregtare e hapur me restorante, bare dhe markatën e peshkut në qendër të tij, dhe markatën e fruta perimeve. Kjo ndërhyrje, ka sjellë ndryshime të dukshme në zonë, ku edhe pse qëllimi kryesor është pazari me tregtinë si element dominant të hapësirës publike, peshën më të madhe të klientëve në zonë e kanë kryesisht baret dhe restorantet e zonës.https://ata.gov.al/2022/12/19/63-vjetori-i-shembjes-se-pazarit-te-vjeter-te-tiranes/