Për herë të parë organizohet në Manastir, të Maqedonisë së Veriut, “Java e Filmit Shqip”. Kjo javë u çel me premierën e filmit “Mësonjtorja” të regjisorit Muharrem Fejzo, film tashmë i restauruar. I gjithë programi i “Javës së Filmit Shqip” përfshin gjithsej 6 filma shqiptarë të restauruar. Në Kino Manaki të Manastirit ka qenë e pranishme edhe aktorja Roza Anagnosti e cila ka sjellë me rolin e Dafinës personifikimin e patriotes Sevasti Qirjazi, e para grua shqiptare me arsim të lartë, e shkolluar në Manastir dhe Kostandinopojë që hapi të parën shkollë shqipe për vajza në Korçën e vitit 1891 dhe punoi për edukimin dhe ndikimin e grave e vajzave në shoqërinë shqiptare. Filmi u transmetua me titra në gjuhën maqedonase. Sot është dita e shfaqjes së filmit “Beni ecën vetë”, prodhim i vitit 1975, me regji të Xhanfise Kekos. Të tjerë filma që do të shfaqen deri në përfundim të këtij eventi, më 25 nëntor, do të jenë: “Përrallë nga e kaluara” (Dhimitër Anagnosti, prodhuar në 1989), “Zonja nga qyteti” (Piro Milkani, prodhuar në 1976), “Gjeneral Gramafoni” (Viktor Gjika, prodhuar në 1978), dhe “Shoku ynë Tili” (Fehmi Hoshafi, prodhuar në 1981).
Home SPORT-KULTURE-ART KULTURE 6 filma shqiptarë të restauruar shfaqen në “Javën e Filmit Shqip”, ...