Në vijim të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka filluar trajnimi i 507 mësuesve nga Tirana, Vora dhe Kamza, të lëndëve shkencore nga pedagogët e këtij fakulteti.
Për herë të parë, trajnimi i mësuesve, i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit është mbështetur nga 7 universitete publike, ku janë përfshirë 130 pedagogë e trajnues të kualifikuar nga këto universitete, me synim njohjen e mësuesve me metodat e reja dhe efektive të mësimdhënies në gjuhë shqipe dhe letërsi, arsim fillor, matematikë, fizikë, kimi, biologji dhe TIK.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me mësuesit që po trajnohen në Fakultetin e Shkencave ku theksoi se “jemi duke ecur me ritëm edhe për sa i përket trajnimeve lidhur me shkencat natyrore. Kemi filluar paralelisht, sot janë 20 grupe mësuesish nga Tirana, Vora dhe Kamza, të cilët po i nënshtrohen një trajnimi për metodat më efektive të mësimdhënies për kiminë, fizikën, matematikën dhe biologjinë”.
“Jemi duke trajnuar rreth 4 mijë mësues sa i përket ciklit fillor, mësuesve të gjuhës shqipe, shkencave e matematikës si dhe mësuesit që japin lëndën e Teknologjisë së Informacionit, pra mësuesit e TIK. Për ne ka një rëndësi maksimale pajisja e tyre me metoda më efektive të mësimdhënies”, tha Manastirliu.
Sipas saj, me anë të këtyre trajnimeve rriten aftësitë e mësuesve, si dhe ato të nxënësve, që është qëllimi kryesor.
Për të parën herë, tha Manastirliu, po punojmë me 7 universitete në të gjithë vendin.
“Trajnimet do të vazhdojnë deri në qershor dhe do të fillojnë në shtator. Për gjatë vitit 2025 planifikojmë më shumë se 16 mijë mësues të jenë të trajnuar në mënyrë intensive, ndërkohë që sistemi i kualifikimit dhe karrierës së mësuesit do të rimodelohet me 3 vitet e para. Duam të rrisim aftësitë e mësuesve dhe motivimi e dinjiteti i mësuesve dhe kjo është përmes rritjes së pagave, që do të fillojë nga muaji korrik”, theksoi Manastirliu.
Prof. dr. Efrosini Kokalari, pedagoge e kimisë, tha se qëllimi është që të përshtaten me mënyrat e reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies në kuadrin e të mësuarit me metoda interaktive.
Prof. dr. Eglantina Kalluçi, duke iu drejtuar mësuesve, u shpreh se “matematika është një revolucion dhe kjo është ajo që ju duhet t’ia bëni të ditur nxënësve, me qëllim që ata të vijnë më pas dhe në universitet”.
Në të gjithë Shqipërinë po zbatohet Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve 2024 -2025. Pas përfshirjes së mësuesve të arsimit fillor dhe gjuhës shqipe në të gjithë vendin, ka nisur në Tiranë edhe trajnimi i mësuesve të lëndëve shkencore.
Paralelisht, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hyrë në një fazë të re të transformimit të sistemit arsimor. Përmes modernizimit të kornizës kurrikulare dhe rishikimit të shkallëve të karrierës së mësuesit, synohet të rritet cilësia e mësimdhënies dhe të ofrohen mundësi më të mira zhvillimi për mësuesit në të gjithë vendin.
Për trajnimet e mësuesve po kontribuojnë me asistencën e tyre pedagogë nga 7 universitetet publike të vendit, të cilat janë të njohura për kontributin e tyre në formimin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Korçës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Gjirokastrës dhe Universiteti i Shkodrës.
Pedagogë dhe trajnerë të zgjedhur për ekspertizën e tyre po japin një mbështetje të vazhdueshme dhe të personalizuar për mësuesit, duke garantuar një zhvillim profesional cilësor dhe të orientuar drejt praktikës
Synimi është që deri në 2026-ën nga Programi Kombëtar i Zhvillimit të Mësuesve të trajnohen mbi 16 000 mësues në vend, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi që do të ndikojnë pozitivisht në cilësinë e arsimit.