Më 22 dhjetor të vitit 1972, u zhvillua Festivali i 11-të i Këngës në RTSH. Për tri mbrëmje radhazi (22-25 dhjetor), publiku shqiptar përjetoi ethet e një ere të re muzikore. Për herë të parë, u luajtën këngë të gëzimit të përditshëm, për dashurinë dhe për ndryshimet sociale, duke dalë përtej kornizës socialiste uniformizuese. Kënga që u kurorëzua me trofe titullohej “Kur vjen Pranvera”, e kënduar nga Tonin Tërshana, e kompozuar nga Pjetër Gaci dhe me tekst të Fatos Arapit. Festiviali i 11-të përfaqëson edicionin muzikor më të komentuar në Shqipëri, për nga zemërata që shkaktoi në radhët e udhëheqjes së regjimit komunist. “Veshje dhe shfaqje të huaja”, “Me imitime dekadente”, “shfaqje disidente” etj, ishin vetëm disa prej frazave denoncuese, që arsyetuan ndërmarrjen e ndëshkimeve për organizatorët dhe pjesëmarrësit. Drejtori i festivalit, Mihal Luarasi, u dënua me 8 vite burg. Gruaja e tij, Edi, një aktore e njohur e kohës, qe në objektiv të kritikave. Bashkëprezantuesi i saj, Bujar Kapexhiu, u dërgua në një kamp pune të detyruar. Todi Lubonja, drejtori i RTSH-së, u burgos. Jehona e këtij festivali u bë shkas edhe për botimin e një libri të posaçëm mbi ngjarjet që pasuan, “Festivali i Njëmbëdhjetë”, me autor Skifter Këlliçin. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell partitura të disa prej këngëve garuese. Aktualisht është duke u zhvilluar edicioni i 61-të i Këngës në RTSH dhe pikërisht sot është nata e fundit, ku pritet verdikti i dy jurive, asaj profesionale dhe jurisë së medias. Ndryshe nga cdo vit tjetër, kënga që do të na përfaqësojë në festivalin europian “Eurovision Song Contest”, do të përzgjidhet nga votat e publikut.https://ata.gov.al/2022/12/22/50-vjet-nga-festivali-i-11-te-i-kenges-ne-rtsh/
50 vjet nga Festivali i 11-të i Këngës në RTSH
RELATED ARTICLES