Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMI50 miliardë lekë vetëm për mbështetjen sociale

50 miliardë lekë vetëm për mbështetjen sociale

Niveli i të ardhurave që planifikohet të mblidhen gjatë këtij viti në buxhet, parashikohet të arrijnë 631.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet planifikohen 687.2 miliardë lekë. Qeveria parashikon që rritja ekonomike të jetë 2.6 %, rreth 1.1 % se sa i vitit që sapo mbyllëm. Një vëmendje e veçantë në buxhetin e këtij viti i kushtohet përballimit të efekteve të krizës, ku rreth 50 miliardë lekë do të alokohen vetëm për mbështetjen sociale. Drejtimet kryesore të buxhetit 2023 janë: përforcimi i sistemeve sociale për të mbrojtur shtresat më në nevojë; garantimi i furnizimit pa ndërprerje me energji elektrike dhe mos ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike; vijimi i investimeve në rritjen e kapaciteteve digjitale të ekonomisë dhe të qytetarëve. Sa i përket paketës fiskale 2023, ajo synon të rrisë miradministrimin e të ardhurave dhe të përafrojë legjislacionin tatimor me direktivat e Bashkimit Europian, ashtu si edhe të reflektojë disa korrektime në ligjet aktuale, sipas rekomandimeve të FMN dhe diskutimeve me grupet e interesit. Ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, ashpërsojnë masat për rastet kur evidentohen mosdeklarime punonjësish, fshehje e pagave apo edhe mosdeklarim të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Nga ana tjetër, janë ashpërsuar penalitetet për rastet e mosshoqërimit të mallrave me faturë, por kjo vetëm për rastet e biznesit të madh. Në ligjin “Për akcizat” është bërë unifikimi i akcizës për birrën, për prodhuesit vendas e të huaj, pavarësisht sasisë së prodhimit. Kjo masë do të çojë nivelin e akcizës nga 360 lekë/HL, në 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike. Me ligjin aktual, prodhuesit me kapacitet prodhimi nën 200 mijë hektolitra paguajnë 15 lekë akcizë për litër, ndërsa mbi këtë kufi 30 lekë për litër. Po ashtu, gjatë vitit të ardhshëm përjashtohen nga TVSH-ja projektet për fondet IPA, si dhe energjia që do të trajtohet nëpërmjet bursës së energjisë, e cila pritet të bëhet funksionale brenda 6-mujorit të këtij viti. Nga TVSH-ja përjashtohen drutë e zjarrit dhe paletat në import, po ashtu edhe në tregun e brendshëm, si një masë ndihmëse për qytetarët, në kushtet kur po përpiqemi të mbajmë të pandryshuar çmimet e energjisë dhe të subvencionojmë qytetarët dhe bizneset e vogla. Paketa fiskale ka një efekt të përgjithshëm në të ardhurat e buxhetit prej rreth 16.6 miliardë lekë. ATA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments