Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar sot në mbledhje plot 32 pika. Ekzekutivi ndau 5.8 milionë euro si mbështetje për sektorin publik, punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe studentët, në kuadër të pakos për përballje me inflacionin. Si pasojë e dëmeve në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore, kabineti qeveritar ndau edhe 2.8 milionë euro për t’i kompensuar fermerët e 22 komunave. Qeveria, po ashtu i dha “dritë jeshile” nisjes së negociatave për projektin e ngrohjes qendrore diellore, i cili u tha se kap vlerën e 80 milionë eurove. Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, tha se ndarja prej 5.8 milionë eurove po bëhet për shtesat prej 50 eurove të sektorit publik dhe ndërmarrjeve publike dhe studentëve që kanë mbetur pa e marrë mbështetjen prej 100 eurove. “Mund të vijojmë me ndarje shtesë, bëhet fjalë për pakon e përballje me inflacionin. Kanë qenë masat qoftë për mbështetjen e sektorit publik apo edhe punëtorëve në ndërmarrje publike dhe studentëve që kanë mbetur disa pa i marrë mbështetjen sipas pakos. Po ashtu, edhe ndarja shtesë në masën e subvencionimit të kursimit të energjisë elektrike. Në tërësi shuma është 5.8 milionë euro”, tha ai. Kompensimin e dëmeve për fermerët e arsyetoi ministri i Bujqësisë, Faton Peci. “Përmes kompensimit të dëmeve mbi 2.8 milionë eurove do të përfitojnë fermerët e 22 komunave të prekura. Ndërsa vlera totale e kompensimit të dëmeve do të jetë 82 për qind e vlerës totale të kërkuara nga fermerët”, tha ai. Në anën tjetër, ministri Murati, tha se projekti në kuadër të shtimit të kapaciteteve të ngrohjes qendrore kap vlerën rreth 80 milionë euro dhe se mbi 50 milionë janë grante, nga Qeveria Gjermane përmes kompanisë KFW, ndërsa pjesa tjetër është kredi nga BERZH. “Bëhet fjalë për një projekt investues që kap vlerën rreth 80 milionë euro dhe parashihet të bëhet në kuadër të shtimit të kapaciteteve të ngrohjes qendrore. Pra, në kuadër të Termokosit në mënyrë që të mbulohet nevoja, sidomos gjatë dimrit për ngrohje me anë të këtij projekti. Në anën tjetër të hiqet barra nga ngrohja me energji elektrike, siç e dini tani është bërë tepër e kushtueshme. Në kuadër të këtij projekti janë tri marrëveshje që po kërkojmë nga ju miratimin që të fillojnë negociatat. Marrëveshja e parë ka të bëjë me granatin nga korniza e Ballkanit Perëndimor investuese, ku aplikim jonë është miratuar dhe kemi përfituar grandin 22.5 milionë euro për këtë projekt. Marrëveshja tjetër është granti nga qeveria gjermane, përmes KFW, i cili kap vlerën 31.6 milionë euro, si dhe marrëveshja tjetër do të jetë kredi në vlerë 23 milionë euro, kredi nga BERZH-i. Në tërësi shumicën e këtij projekti kemi arritur të sigurojmë përmes granteve”, tha ai. Ministri Murati kërkoi autorizimin nga presidentja Vjosa Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes financiare me Bankën Evropiane për Investime për projektin e “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10”. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi themeloi edhe Këshillin shtetëror organizativ për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qeveria po ashtu procedoi në Kuvend dhënien e investitorit strategjik kompanisë “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C. Ndërkohë, emëruan Fadile Dylën, sekretare të përgjithshme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. ATA
5.8 milionë euro për sektorin publik dhe studentët
RELATED ARTICLES