Tatimi mbi të ardhurat personale do të kontribuojë në buxhet me rreth 49 miliardë lekë, gjatë vitit 2023. Sipas p/buxhetit të vitit të ardhshëm, i cili po diskutohet në komisionet parlamentare, të ardhurat nga ky zë, do të jenë me një rritje prej 2.5 miliardë lekë, ose 5.4% më shumë se pritshmëritë për vitin 2022. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale janë marrë në konsideratë rimëkëmbja ekonomike dhe impakti i saj në nivelin e pagës mesatare, si dhe rritja e numrit të të punësuarve në sektorin privat, si dhe incentivat për nxitjen e punësimit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka propozuar disa ndryshime në ligj, si pjesë e Paketës Fiskale për vitin 2023. MFE propozon rritjen e kufirit të patatueshën të pagës nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, masë kjo që do të reduktojë të ardhurat në buxhet me rreth 1 deri 1.2 miliardë lekë në vit, por ndërkohë do rrisë të ardhurat e punëmarrësve me paga deri në 50 mijë lekë në muaj, me të njëjtën shumë, çka do të thotë më shumë para në buxhetet e familjeve shqiptare dhe më shumë konsum në ekonominë tonë. Nga kjo masë përfitojnë mbi 70 mijë punëmarrës, të cilët janë në grupin e pagave nga 40 në 50 mijë lekë në muaj. Po ashtu, propozohet futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira, si një masë që synon të kufizojë shmangien e tatimit nëpërmjet kalimit të individëve nga statusi i të punësuarit ku paguan tatim, në statusin e të vetëpunësuarit pa tatim. Kjo masë vlerësohet të kontribuojë në buxhetin e shtetit me mbi 2 miliardë lekë në vit. https://ata.gov.al/2022/10/29/p-buxheti-49-miliarde-leke-nga-tatimi-mbi-te-ardhurat-personale/
49 miliardë lekë nga tatimi mbi të ardhurat personale
RELATED ARTICLES