Rezultatet dhe risitë e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, për vitin 2022 ishte kryefjala e konferencës për mediet që u organizua sot nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe AZHBR. Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Dhimitër Kote, tha se, fokus i punës tonë ka qenë krahas mbështetjes së drejtpërdrejtë orientimi i bujqësisë për të prodhuar financë. “Gjatë vitin 2022 janë mbështetur sektorët bazë që prodhojnë si blegtoria, serrat dhe perimet, bimët medicinale, bletaria, certifikimi, mbjellja e grurit dhe skema e naftës që konsiderohet ndër më të rëndësishmet” tha ai. Kote theksoi se, buxheti i këtij viti ka qenë buxheti më i lartë krahasimisht me vitet e tjera. Mbështetja ka qenë 3.2 miliardë në fillim të vitit dhe gjatë 2022 është dyfishuar mbështetja buxhetore në 5.1 miliardë lekë, për të zbutur efektet e pandemisë dhe krizën nga lufta në Ukrainë. Drejtoresha e AZHBR-së Eranda Sinanaj, tha se fokus i Skemës së Mbështetjes ka qenë Skema e naftës që lidhet me punimet e mekanizuara për fermerët, duke ndikuar në uljen e kostove të prodhimit, që ka zënë 43% të buxhetit të alokuar për vitin 2022 dhe 33% të buxhetit e zë mbështetja për blegtorinë. Gjithashtu skema e mbështetjes për mbjelljen e grurit ka zënë pjesë të rëndësishme. “Fakt i rëndësishëm është që buxheti 2022 për mbështetjen e bujqësisë është sa buxheti i 5 viteve të kaluara dhe ky është buxhet i alokuar nga buxheti shtetit për Skemën e Mbështetjes, por kemi edhe buxhetin nga IPARD që është vlerë e shtuar në financimin e fermerëve”, theksoi Sinanaj . Për herë të parë është disbursuar i gjithë buxheti i alokuar, ku kemi 47.000 fermerë përfitues. Gjatë konferencës u prezantuan rezultatet konkrete dhe mbështetja që i është dhënë çdo sektori, ku një fokus i veçantë i është kushtuar blegtorisë, bletarisë , të cilave u janë alokuar fonde shtesë, si edhe një vëmendje të shtuar ka patur skema e naftës. Në përgjigje ndaj kërkesave të fermerëve dhe rritjes së kostove të inputeve dhe naftës, këtë vit janë hapur tre thirrje për aplikime, ku risi janë skemat e reja të mbështetura për herë të parë siç është skema e grurit, rinovimi i flotës së peshkimit, ngritja e tregjeve bujqësore-blegtorale, si edhe pagesa e kostove të inputeve bujqësore. Gjatë konferencës u përmendën edhe rezultatet e programi IPARD II, ku realizimi me sukses i tij ka bërë që të alokohen më shumë fonde për IPARD III.https://ata.gov.al/2022/12/19/sinanaj-47-000-fermere-perfitues-nga-skema-kombetare-ne-bujqesi/