Vetëm këtë vit, rreth 8 milionë të rinj mbushin moshën 18 vjeçare, duke fituar të drejtën për të votuar. Në tërësi, janë 41 milionë amerikanë nën moshën 27 vjeçare, të lindur në periudhën 1997-2012 që mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
41 milionë të rinj amerikanë nga 18 deri në 27 vjeç kanë të drejtë vote në zgjedhjet e nëntorit. Analistët thonë se vota e tyre mund të jetë përcaktuese në zgjedhjet presidenciale, jo për shkak të moshës, por për shkak të asaj që ata janë.
“Pjesa e re e popullsisë do të ketë më shumë larmi racore sesa popullsia e vjetër, e lindur pas Luftës së Dytë Botërore”, thotë William Frey nga Instituti Brookings.
“Pra, gati gjysma e tyre, të rinjtë e lindur në periudhën 1997-2012 janë me ngjyrë – rreth një e pesta e tyre identifikohen si pjesë e LGBTQ-së. Pra, po flasim për një brez vërtet të larmishëm, jo vetëm sa i përket identitetit, por sa i përket prejardhjes, përvojave dhe pikëpamjeve të tyre”, thotë Alberto Medina nga Universiteti Tufts.
Historikisht, të rinjtë dalin më pak për të votuar krahasuar me votuesit më të moshuar. Por, ky brez i ri është më aktiv në politikë, krahasuar me brezat e tjerë në këtë moshë.
“Një nga ngjarjet e mëdha në ciklet e fundit zgjedhore ishte në fakt një rritje e madhe e pjesëmarrjes në votime të të rinjve. Mendohet se 39% e tyre votuan më 2016 dhe 50% më 2020”, thotë Alberto Medina nga Universiteti Tufts.
Kur bëhet fjalë për zgjedhjet për Kongres që përkojnë me mesin e mandatit të presidentit, të rinjtë e sotëm ishin më aktivë krahasuar me pjesëmarrjen në votime të brezave të mëparshëm në zgjedhje të njëjta.
Në zgjedhjet për Kongres më 2022, për herë të parë personat e lindur në periudhën 1997 – 2012 përbënin të gjitha grup-moshat nga 18-24 vjeç.
Mbi 28% e tyre votuan në këto zgjedhje. Kjo është përqindja më e lartë e pjesëmarrjes, krahasuar me brezat e kaluar në moshën e njëjtë.