Qyteti i gurtë, Gjirokastra, vijon të mbetet ndër destinacionet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj. Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha sot për ATSH-në se “40 mijë turistë e vizituan qytetin e gurtë të Gjirokastrës, vetëm në muajt janar-qershor të këtij viti”. Sipas tij, vizitorët gjatë qëndrimit në Gjirokastër njihen me vlerat natyrore e kulturore të Gjirokastrës. Një ndër atraksionet kryesore për turistët, përveç Qafës së Pazarit dhe Kalasë, janë edhe muzeumet . Në këtë drejtim, Golemi thekson se “Muzeun e Luftës së Ftohtë e kanë vizituar më shumë se 1000 turistë, ndërkohë që ka pasur një interes të lartë edhe për muzetë e tjera që bashkia Gjirokastër ka,si në qytet dhe në rrethinat,njësitë administrative”. Golemi shprehet se “ndër pikat më të frekuentuara janë edhe banesat karakteristike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në njësitë administrative si Parku Arkeologjik i Antigonesë, objektet e kultit, etj”. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.
https://ata.gov.al/2022/07/07/golemi-per-atsh-ne-40-mije-turiste-vizituan-gjirokastren-nga-janari/