Të paktën 36 persona u vranë dhe më shumë se 66 u plagosën kur një tren pasagjerësh u përplas dje në mbrëmje me një tren mallrash në Tempi, Greqia qendrore, pranë qytetit të Larisës, tha Shërbimi Grek i Zjarrfikësve. ”Nga 66 personat e lënduar, 23 mbeten ende në spital”, sipas zëdhënësit të Shërbimit Zjarrfikës, Vassilis Vathrokogiannis. Punonjësit e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar duke u fokusuar në dy vagonët e parë të trenit të pasagjerëve. Ndërkohë ministri i Shëndetësisë Thanos Plevris po viziton spitalet ku janë transportuar të lënduarit. Shkaku i aksidentit fillimisht ishte i paqartë. Një tren pasagjerësh që vinte nga Athina në rrugë për në qytetin port verior të Selanikut u përplas ballas me një tren mallrash që udhëtonte në drejtim të kundërt, sipas raporteve fillestare nga zyrtarët hekurudhor. Treni i pasagjerëve, ”Inter City 62”, ishte nisur nga kryeqyteti grek në orën 19:22 (17:22 GMT) të martën në mbrëmje. Rreth 350 pasagjerë thuhet se kanë qenë në bordin e trenit. Videot e transmetuara në televizionin lokal treguan disa vagona treni të rrënuar në vendin e përplasjes pranë komunës së Tempit. ”Një zjarr shpërtheu në trenin e pasagjerëve pas përplasjes. Kishte kaos dhe zhurmë të pabesueshme”, tha një i mbijetuar. Përplasja ndodhi në një linjë që lidh Athinën me Selanikun, e cila u modernizua gjatë viteve të fundit. ”Pavarësisht modernizimit, i cili përfshinte tunele dhe ura të reja, si dhe dy shina përgjatë rrugës 500 kilometra, kishte ende probleme të rëndësishme me koordinimin elektrik të kontrollit të trafikut”, sipas sindikatës greke të drejtuesve të trenave. “Ne udhëtojmë nga një pjesë e linjës në tjetrën me radio, ashtu si në kohët e vjetra. Drejtuesit e stacionit na japin dritën jeshile”, shpjegoi në radion shtetërore presidenti i sindikatës Kostas Genidounias. Hekurudha e Greqisë, ”Hellenic Train”, operohet nga kompania hekurudhore shtetërore italiane ”Ferrovie dello Stato Italiane”. atsh