Qeveria po zbaton prej dy vitesh skemën mbështetëse të naftës pa taksa për bujqësinë, duke lehtësuar buxhetet e fermerëve në punët e bujqësisë. Sipas një njoftimi të publikuar nga Agjencia për Media dhe Informim (MIA), në kuadër të Skemës së mbështetjes me naftë për bujqësinë, rreth 34 mijë fermerë përfituan naftë pa taksa, për punët e kryera në fermë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, kjo skemë u zbatua me sukses edhe gjatë vitit 2022 dhe do të vazhdojë si masë mbështetëse për fermerët edhe këtë vit, si nevojë shumë e madhe duke parë dhe rritjen e çmimit të naftës në treg. Skema e naftës pa taksa për fermerin ka lehtësuar kostot e prodhimit, teksa synon mbështetjen e prodhimit vendas dhe të eksporteve bujqësore. Ekspertët e vlerësojnë skemën e naftës si mbështetjen më të madhe që i është dhënë ndonjëherë fermerëve nëpërmjet skemës kombëtare. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural thekson se, ka në fokus zgjerimin e mekanizimit në bujqësi dhe implementimin e teknologjive bashkëkohore në prodhim, si faktorë të rëndësishëm në rritjen e prodhimit me standarde të larta. Krahas programeve mbështetëse për investime në mekanizim, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural do të vazhdojë mbështetjen e fermerëve me naftë pa taksa, për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi. ATA
34 mijë fermerë përfituan naftë pa taksa për bujqësinë
RELATED ARTICLES