Grevat në administratë publike kanë krijuar një ngërç tash e disa javë, në mes të SBAShK-ut dhe Qeverisë, duke bërë që fillimviti mësimor të mos fillojë më një shtator. Eksperti për çështje arsimore, Halim Hyseni vlerëson se me këtë grevë 50% e përformancës së institucioneve edukative dhe arsimore të Kosovës, është e humbur. Madje, sipas tij, pasojat janë të pariparueshme. Halimi ka akuzuar kreun e SBAShK-ut, Rrahman Jasharajn për ngërçin e krijuar, duke thënë se “sikur ky shtet të kishte qenë shtet ligjor z.Rrahman Jashari do të ndiqej penalisht”. “Ky është një veprim antikombëtar i SBASHK-ut. Pasojat e grevës së organizuar do të jenë të pariparueshme. Viktima janë mbi 300.000 nxënës dhe studentë të institucioneve publike”, tha Halimi për RTKlive. Sipas tij, se gjendja në arsimin e Kosovës, si në asnjë vend të Evropës, është tmerrësisht e rëndë. Kosova, sipas tij, është i vetmi vend në Evropë, që organizon greva në fillim të vitit shkollor. “Të organizosh greva para fillimit të vitit shkollor, do të thotë të pamundësosh punën normale gjatë këtij viti shkollor. Ta marrim një shembull. Konkurset për rekrutimin e mësimdhënësve për vendet e lira të punës, të pranuar nuk e kanë filluar punën, dhe në disa komuna edhe pse pranimet janë bërë gjatë muajit gusht ende nuk janë informuar, ku dhe në të cilat shkolla do të sistemohen. Kemi të bëjmë me shkelje flagrante të të drejtave dhe të lirive të njeriut. Shkelës të këtyre të drejtave është SBASHKU-u i cili është përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të anëtarësisë e cila edhe tatohet për këtë anëtarësim”, thotë Hyseni, duke shtuar se është e ditur se fillimi i suksesshëm i punës, është gjysma e suksesit. Sipas tij, me këtë grevë 50% e përformancës së institucioneve edukative dhe arsimore të Kosovës është e humbur. “Më vjen keq, po duhet ta them z. Rrahman Jashari, po tregon se nuk ka aspak empati, as për shtetin e Kosovës, as për kombin, as për qytetarët e etnive tjera që Kosovën e pranojnë si shtet të tyre (turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët), që janë mbyllë në shtëpi, ndërsa nxënësit serbë vazhdojnë mësimin me ligje të Serbisë”, tha Halimi për RTKlive. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka dhënë një propozim shumë të arsyeshme duke i ndarë nga 50 euro. “Sipas meje këtu e kemi vetëm një palë të barrikaduar, e ky është SBASHK- u, cili egon e idhnakut z. Rrahman donë ta çojë. SBASHK-u do të duhej ta bënte transparente gjendjen e saj financiare. Sipas një përllogaritje time, bazuar në deklaratën e z. Jashari në grevë janë 83.000 persona. Në një informacion të dërguar nga një mësimdhënëse, anëtarësia e të cilës ishte nga e ndryshme, varësisht nga paga, llogarita se në xhirollogarinë e SBASHK-ut brenda viti janë derdhur për një vit 1,494,000 euro. Për tetë vite, duke marr numrin prej 83.000 grevistëve dhe, 1,5 euro për person në xhirollogarinë e SBASHK-ut janë derdhur 11.952.000. Nëse këto shuma janë kështu siç i llogarita unë bazuar në të dhënat qe i përmend vete z.Jashari dhe në, anëtarësinë prej 1.5 eurove, shtrohet pyetja ku kanë shkuar këto mjete, çfarë dobie ka pasur arsimi i Kosovës nga SBASHK-u”, tha Halimi. Sipas tij, SBAShK-u duhet ta pranojë propozimin Qeverisë së Kosovës, të ndërpritet greva menjëherë, dhe të kërkohen dhe të gjenden alternativa për zvogëlimin e pasojave të pariparueshme të shkaktuar nga ‘veprimi antikombëtar i SBASHK-ut’. “Ky është veprim antikombëtar i SBASHK-ut. Në dhjetor të këtij viti do të dalin rezultatet e PISA-s. Do të jenë të tmerrshme, më të ulëta se ato të viteve 2015 dhe 2018. Uroj të mos del kjo që po e parashikoj unë, por kjo do të jetë”, thotë Halimi, duke shtuar se kjo Qeveri, duhet të ulet me opozitën dhe të kërkojë të formojë një Këshill për Transformimin e Përshpejtuar të Sistemit të Arsimit. “Ky Këshill duhet të formohet mbi bazën e një ekspertize të thellë “kardiologjike” të shëndetit real të sistemit të edukimit të tashëm në Kosovë, mbi bazën e të cilit do të hartoheshin katër lloje të strategjive: dalës, gjeneruese, pjesshme dhe totale”, vlerëson Halimi. Ai gjithashtu thotë se tatëpjeta e madhe e arsimit në Kosovë, ka filluar në vitin 2014. “Është intensifikuar me 2018 me zbatimin e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës pa botimin e teksteve mësimore dhe pa përgatitjen e personelit mësimore për zbatimin e Kornizës së Re Kurrikulare të Kosovës, duke marrë përmasa drastike me COVID-19, me ç’rast numër i madh i nxënësve ka mbetur të pa përfshirë në mësimdhënie në distancë, si dhe organizimi jo adekuat i kësaj forme të mësimit”, tha Halimi. Ndryshe, dje është mbajtur mbledhja e Këshillit Ekonomik Social mes sindikatave, ministrit të Financave Hekuran Murati dhe asaj të Arsimit Arbërie Nagavci, por pa një zgjidhje përfundimtare. Këto takime anëtari i Këshillit Grevist në SBAShK, Zenun Nimani, i ka quajtur joproduktive madje sipas tij, edhe injorant në një pikë nga ana ministres.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=616632